Dy kundërkandidatët në garën për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri dhe Besian Mustafa, e kanë uruar fituesin e këtij posti, Lumir Abdixhiku, për triumfin e tij në elektoratin brenda subjektit politik, njofton Insajderi.
Derisa e përgëzoi për garën, Haziri ka thënë se nga sot do t’i qëndrojë pranë Abdixhikut në çdo ditë e çdo kohë.
“Do të të qëndroj pranë në çdo ditë e çdo kohë dhe çdo proces e detyrë. Na kanë trazuar me muaj të tërë se si dhe qysh do ta kalojmë procesin e parë zgjedhor të 14 shkurtit dhe këtë proces”, është shprehur Haziri.
“Sot për mendimin timin dëshmuat se LDK është më e madhe, shkollë politike, shteti i Kosovës që do të punojmë pa ndalë. Kryetari i ri e rinon LDK-së për ta fituar çdo betejë politike që e kemi përpara”, ka thënë ai.
Ndërsa, Besian Mustafa, në fjalën e tij para delegatëve tha se Abdixhiku e ka përkrahjen e plotë të tij dhe gjithë anëtarëve të LDK-së, duke shtuar se atë dhe të gjithë anëtarët e LDK-së do t’I ketë ushtarë në misionin dhe qëllimet e tij drejt fitores së LDK-së.
“Fillimisht dua të falënderoj secilin delegatë të këtij Kuvendi për mbarëvajtjen dhe përkrahjen e këtyre tre kandidatëve”, ka thënë Mustafa.
“Lumir urime dhe suksese nga sot mua, Lutën dhe të gjithë anëtarët e LDK-së na ke ushtarë në misionin dhe qëllimet tua drejt fitores së LDK-së” është shprehur ai. /Insajderi.com