Dega e PDK-së në Podujevë i ka reaguar nënkryetarit të LDK-së, Agim Veliu, i cili kërkoi zbardhjen e vrasjeve politike të pasluftës. Sipas PDK-së, LDK është duke i keqpërdorur vrasjet e pasqaruara derisa këtë po e bën vetëm për vota.
PDK ka lëshuar akuza në drejtim të LDK-së se kanë dështuar edhe sa i përket themelimit të ushtrisë së Kosovës.
Sipas PDK-së në Podujevë, LDK është parti që pret prej të tjerëve t’i kryejnë punët e Shtetit të Kosovës.
“Këtë herë dega e LDK-se në ketë përvjetor të themelimit të saj Podujevë, ashtu siç e kanë trashëguar nga e kaluara, se asgjë nuk mund të bëjmë vetëm, pa na thënë të tjerët. Veçuan pamundësinë e themelimit te ushtrisë, apo shndërrimit te FSK-së në forcë për ta mbrojtur sovranitetin e shtetit tonë, se gjoja nuk na lënë të tjerët, edhe pse bashkërenditja për krijimin e ushtrisë është duke u bërë me faktorin ndërkombëtar, NATO-n, ShBA-të dhe BE-në”, thuhet në komunikatën e PDK-së.
“Po e vërteta është diku tjetër, se LDK do ta kishte dëshirën që kjo ta jepte iniciativën e që nuk e dha, pikërisht duke pritur nga kotësia se të tjerët ua bëjnë ushtrinë, ashtu siç priti me vite se dikush tjetër do t’ua sjellë pavarësinë dhe lirinë e Kosovës, por që kjo nuk ndodhi ashti siç e konceptuan”, thuhet më tej në komunikatë.
Sipas PDK-së, kërkesa për zbulimin e autorëve të vrasjeve të pasluftës, e cila gjithnjë është përdorur nga LDK-ja me qëllime të caktuara duke fajësuar subjekte dhe individ të ndryshëm për të cilët as hetuesia nuk e ka dhënë fjalën, por që tash e disa vite prej kur është në bashkëqeverisje i ka harruar fare.
“Dega e PDK-së në Podujevë e përsërit dhe do ta përsërisë vazhdimisht që autorët e atyre vrasjeve që kanë ndodhur pas luftës të zbardhen dhe autorët pavarësisht kush janë të dalin para drejtësisë, sepse kështu do të ndërpritet manipulimi që gjithmonë ka përdorur ky subjekt politik për të përvetësuar vota nga qytetarët. Por që tani qytetarët e kanë qartësuar mirë synimin e këtij grupi interesgjish do t’ua tregojnë vendin aty ku në realitet e kanë pasur para shumë vitesh. Loja me ndjenjat e atyre që u janë vrarë familjarët veç sa për të marrë vota është jo e sinqertë dhe cinike, sepse këto vite kanë harruar fare që t’i ngrisin këto çështje”, thuhet në reagimin e PDK-së.