Numri i madh i lëndëve dhe pak raste të zgjidhura e ka karakterizuar punën e gjykatave gjatë vitit 2020.
Sipas një raporti të publikuar nga “Drejtësia Sot” për punën e Sistemit Gjyqësor dhe Prokurorial për periudhën janar-dhjetor 2020, zgjedhja e gjyqtarëve në kuadër të departamentit special në një proces të mbyllur ka qenë veprim jo i duhur.
Rreze Hoxha-Zhuja nga Drejtësia Sot-GLPS, tha se Gjykata e Apelit ka zgjidhur pesë lëndë që kanë të bëjnë me krimin e organizuar.
“Këshilli Gjyqësor ka mbajtur edhe seancat online gjë që nuk janë përmbajtur rregullat si duhet. Numri i lëndëve aktive nëpër gjykata vlen të ceket që është i madh me rreth 130 aplikime, dhe me pak raste të zgjidhura. Gjykatat e Apelit për krimin e organizuar kanë zgjidhur pesë lëndë”.
Ndërkaq, Arbër Fetahu prezantoi shkeljet nga gjykatat dhe prokuroritë gjatë monitorimit që kanë bërë.
“Kemi pasur një mori shkeljesh nga gjykatat dhe prokuroritë, ndër to ka shumë si mos raportimi i duhur, shkeljet e identifikuara gjatë fazës së marrjes së dëshmitarëve dhe shkelja e parimit të palëve”, tha Fetahu.
Më tej ai rekomandoi që prokurorët dhe gjyqësorët të ndryshojnë praktikën negative të rekrutimit të gjyqtarëve, të respektojnë shpalljen e konkursit dhe të vazhdojnë transparencën në ëeb faqen e tyre.
“Prokurorët ftohen që të angazhohen që gjatë aktgjykimeve të shpalosin konfiskimin e pasurisë, ata ftohen poashtu që gjatë fazës së hetimeve të korrupsionit të jenë me aktiv për mbrojtjen e ligjërisë, dhe te kujdesen me aktakuzat e ngritura”, theksoi më tej Fetahu./Insajderi.com