Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i ka dhënë leje për të hyrë në Kosovë drejtorit të zyrës serbe për Kosovë, Petar Petkoviqit, përcjell Insajderi.
Përmes një komunikate për medie, nga kjo ministri kanë thënë se Petkoviqi do qëndrojë në Kosovë më 16-17 mars derisa kërkesa është bazuar në Marrëveshjen për vizitat zyrtare e nënshkruar në Bruksel më 2014.
Në komunikatë tutje bëhet e ditur se MPJD-ja i ka kërkuar Petkoviqit që të përmbahet nga deklaratat politike, gjuha nxitëse dhe retorikat kundër shtetit të Kosovës.
“MPJD e Republikës së Kosovës kërkon që gjatë kësaj vizite të respektohet protokolli dhe agjenda nga ana e z. Petkoviq, si dhe të përmbahet nga deklaratat politike, gjuha nxitëse dhe nga retorikat kundër shtetit të Kosovës.
Mosrespektimi i agjendës dhe deklaratat politike kundër shtetësisë së Republikës së Kosovës do të ndikojnë në refuzimin e vizitave të tjera nga Serbia”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, mediat serbe kanë raportuar se Petkoviqi gjatë dy ditëve qëndrimi të tij në Kosovë, do të vizitojë veriun./Insajderi.com