Anëtari i BE-së hapë zyrë të ambasadës në Jerusalem, por Unioni s’ndjenë “keqardhje” si për Kosovën

Anëtari i BE-së hapë zyrë të ambasadës në Jerusalem, por Unioni s’ndjenë “keqardhje” si për Kosovën

Derisa për Kosovën ka ndjerë keqardhje për hapjen e Ambasadës në Jerusalem, Bashkimi Evropian nuk manifeston të njëjtat ndjenja e as qëndrime kur një anëtar i vetë Unionit hapi një zyrë të Ambasadës në të njëjtin kryeqytet të kontestuar.

Republika e Çekisë, që u bë anëtare e Bashkimit Evropian në vitin 2004, objektin qendror të Ambasadës në Izrael e ka në Tel Aviv, por me 12 mars paralajmëroi se një zyre të ambasadës tash e tutje do ta ketë edhe në Jerusalem.

Gazeta Online Insajderi ka kërkuar një qëndrim nga Zyra për Politike të Jashtme e BE-së, në lidhje me vendimin e Çekisë, por përgjigja ka qenë e tërthortë, duke ripërsëritur qëndrimin e përgjithshëm të unionit.

“Në lidhje me hapjen e asaj që përshkruhet si një zyrë në Jerusalem e Ambasadës së Republikës Çeke në Izrael, ne kujtojmë rezolutën 478 e Këshillit të Sigurimit të KB-së, të vitit 1980, e cila u bëri thirrje të gjithë anëtarëve të KB-së të tërheqin misionet e tyre diplomatike në Izrael nga Jerusalemi”.

Në përgjigje theksohet po ashtu qëndrimi se të gjitha shtetet anëtarë të BE-së dhe delegacioni i BE-së në Izrael janë të vendosura në Tel Aviv.

Blloku ka përsëritur vazhdimisht angazhimin se janë të vendosur për një zgjidhje të negociuar “me dy shtete të ndërtuara mbi parametrat e rënë dakord ndërkombëtarisht dhe ligjin ndërkombëtar”.

“Në konkluzionet e tij në dhjetor 2017, Këshilli Evropian – në nivelin e Kryetarit të Shtetit dhe Qeverisë – përsëriti se qëndrimi i BE-së mbi Jerusalemin mbetet i pandryshuar”.

Siç bëjnë të ditur nga kjo zyrë, derisa të zgjidhet statusi përfundimtar i Jerusalemit, “Bashkimi Evropian dhe shtetet e tij anëtare do të vazhdojnë të respektojnë konsensusin ndërkombëtar për Jerusalemin të mishëruar, ndër të tjera, në Rezolutën 478 të Këshillit të Sigurimit të KB-së, përfshirë vendndodhjen e përfaqësive diplomatike”.

BE rikujton se pozicioni i kahershëm i saj është i qartë – duhet gjetur një mënyrë përmes negociatave për të zgjidhur statusin e Jerusalemit si kryeqyteti i ardhshëm i të dy shteteve “dhe aspiratat e të dy palëve duhet të përmbushen”.

Bashkimi Evropian gjatë së hënës ka shprehur keqardhje për vendimin e Kosovës që të hapë Ambasadën në Jerusalem.

Ky koment nga BE erdhi një ditë pasi Kosova njoftoi se edhe zyrtarisht ka hapur Ambasadën e saj në Izrael, me lokacion në Jerusalemin Perëndimor.

“BE-ja shpreh keqardhje për vendimin e Kosovës që të largohet nga qëndrimi i BE-së lidhur me çështjen e Jerusalemit”, u shpreh zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Hapja e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem derivon nga Marrëveshja e 4 shtatorit 2020 në Uashington për normalizim ekonomik.

Në këtë marrëveshje, që u ndërmjetësua nga presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u përfshi edhe njohja e Kosovës nga Izraeli dhe u tha se Ambasada e Kosovës do të vendosej në Jerusalem.

Edhe Serbia kishte marr obligim që ta zhvendosë Ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem, por deri më tani kjo gjë nuk kanë ndodhur.

Të pyetur nga redaksia nëse presin që edhe Serbia të respektojë marrëveshjen e Uashingtonit dhe të bartë Ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem, nga Unioni kanë refuzuar të komentojnë mbi këtë çështje.

“Nuk na takon ne që të komentojmë mbi pyetjen tuaj”, thuhet në përgjigjen e BE-së. /Insajderi.com