Haradinaj-Stublla: Për keqardhje sa me lehtësi iu dha leja Petkoviqit për vizitë në Kosovë

Haradinaj-Stublla: Për keqardhje sa me lehtësi iu dha leja Petkoviqit për vizitë në Kosovë

Ish-ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka thënë se është për keqardhje se me sa lehtësi kjo ministri ka aprovuar lejen për hyrjen në Kosovë të të ashtuquajturit Drejtor i ‘Zyrës për Kosovën’ në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, transmeton Insajderi.

Sipas Haradinaj-Stublla, kjo kur tashmë dihen shkeljet e njëpasnjëshme të Serbisë të bëra në vazhdimësi kundër Kosovës, e sidomos muajve të fundit pa dhënë asnjë përgjegjësi.

“Mbajtja në arrest ilegal të dy qytetarëve tanë të arrestuar në kufi; Kontrabandimi kriminal i vaksinave të dyshimta në territorin e Kosovës; Mohimi e mbrojtja me krenari e krimeve gjenocidale gjatë luftës në Kosovë; Përdorimi i gjuhës shqiptarofobe e fashiste ndaj shqiptarëve; Mirëmbajtja e strukturave paralele në disa pjesë të Kosovës; Shkelja e secilës marrëveshje të nënshkruar me Kosovën; Presioni e shantazhi mbi serbët e mire-integruar në Kosovë; Interferimi dhe shantazhi në institucionet e RKS nga veglat e Vuçiqit; Kampanja e tmerrshme për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginë; Deklaratat e vazhdueshme politike kundër shtetësisë së Republikës së Kosovës”, ka përmendur Haradinaj.

Me anë të një postimi në Facebook, ish-kryediplomatja e Kosovës ka shkruar se edhe 22 vjet pas lufte, “nuk po mbushemi mend që të respektojmë veten dhe dinjitetin tonë, pa lejuar nëpërkëmbjen nga të tjerët”. /Insajderi.com