
Kryetari i Lëvizjes Përparimtare të Romëve të Kosovës, Erxhan Galushi, është deklaruar rreth takimit të mbajtur me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, njofton Insajderi.
Ai ka thënë se do ta votojë edhe Kurtin për kryeministër edhe Osmanin për presidente pa vënë ndonjë kusht të caktuar.
“Do t’i përkrahim që të dy, edhe Kurtin për kryeministër edhe Osmanin si presidente. Ne si parti nuk patëm kushte specifike, por deshëm që të prioritizohen programet qeverisëse për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, sidomos për komunitetin rom dhe të gjithë së bashku të gjejmë një gjuhë të përbashkët për përmirësimin e gjendjes së përigjithshme për qytetarët e Kosovës. Pra, gjithçka çka është e mirë për Kosovën”, ka thënë Galushi.
Ai tha se shpresojnë që të kenë votat e duhura për votimin e Osmanit si presidente në Kuvendin.
Galushi, i cili do të jetë në Kuvend për herë të parë, fitoi ulësen pas vendimit të Gjykatës Supreme që la jashtë Adrijana Hoxhiqin nga lista “Komuniteti i Bashkuar” dhe Hatixhe Gjorgjeviq nga Iniciativa Rome. /Insajderi.com