Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe homologu i tij izraelit, Yuli Edelstein, do të zhvillojnë sot një takim virtual ku pritet të diskutojnë për ndihmën që Izraeli do të ia ofrojë Kosovës në sigurimin e vaksinave anti-COVID, njofton Insajderi.
Sipas njoftimit të ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPDJ), Izraeli ka shprehur gatishmërinë që ta ndihmojë Kosovën për sigurimin e tyre.
Ky takim do të zhvillohet të mërkurën në orën 16:00.
“Ambasada e Republikës së Kosovës në Izrael, në koordinim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka organizuar një takim virtual mes Ministrit të Shëndetësisë së Kosovës, z.Armend Zemaj dhe Ministrit të Shëndetësisë së Izraelit, z.Yuli Edelstein”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.
“Ky takim është organizuar për të diskutuar rreth ndihmës së Izraelit në sigurimin e vaksinave anti-Covid19 për popullin e Kosovës. Izraeli ka shprehur gatishmërinë që të shterojë të gjitha mundësitë, për ta ndihmuar Kosovën në sigurimin e dozave të nevojshme. Takimi do të mbahet sot, e mërkurë (17 Mars) në ora 16:00”. /Insajderi.com