Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe Rrjeti i Grave të Kosovës kanë fajësuar institucionet e shtetit, përkatësisht Prokurorinë Themelore në Prishtinë, për vrasjen e Sebahate Sopit, përcjell Insajderi.
Sipas tyre, vrasja e Sebahates ka ndodhur për shkak të mos veprimit të prokurorisë, e cila nuk i ka përmbushur obligimet ligjore në rastet ku cenohet integriteti i grave tek veprat penale te dhunës në familje.
Në konferencën për medie ku u publikua raporti “Shteti me mos veprim, privon nga jeta Sebahate Sopin”, u tha se Prokuroria po mundohet të mbulojë këtë rast.
Ehat Miftaraj nga IKD-ja ka thënë Sebahate Sopi është viktimë e shtetit të Kosovës.
“Republika e Kosovës edhe njëherë dështoi në mbrojtjen e Sebahate Sopa, në bazë të ekspertizës është viktimë e shtetit të Kosovës. Pozita e prokurorit nuk është privilegj, por është përgjegjësi para Kushtetutës dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.
“Sebahate Sopi ka qenë viktimë e dhunës në vitin 2019, si rezultat i kësaj kishte një urdhër-mbrojtje të lëshuar nga Gjykata Themelore në Gjilan, i cili urdhër-mbrojtje kishte skaduar në fund të vitit 2020. Më 3 mars, vajza e Sebahate Sopit, e kishte raportuar dhunën në familje ndaj nënës së saj nga babai i saj, e që prokurori i shtetit vetëm me një intervistim të zonjës Sopi, kishte mjaftuar që të mos marrë veprime shtesë për t’i siguruar të njëjtës mbrojtje dhe siguri…Një veprim i tillë që Prokuroria më 4 mars të mos ndërmarrë veprime shtesë për t’u siguruar nëse e njëjta ka mbrojtje ka ndikuar që më 14 mars të këtij viti fatkeqësisht dy jetë të shuhen. E në këtë rast kemi viktimën Sebahate Sopi, që përmes analizës që kemi bërë përveç që është viktimë e bashkëshortit të saj, është viktimë e shtetit të Kosovës”, ka shtuar Miftaraj.
Ndërkaq, Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës, është shprehur që mbrojta e grave dhe këtyre viktimave duhet të bëhet nga ata që duhet, respektivisht institucionet.
“Le të shpresojmë qe ky të jetë rasti i fundit që na ka bërë bashkë këtu, dhe të mos tolerohet vrasja dhe dhuna e grave”, ka pohuar ajo./Insajderi.com