Nicholas Abbot, ambasadori britanik në Kosovë, ka inkurajuar tri partitë e mëdha opozitare të marrin pjesë në formimin e institucioneve të reja, njofton Insajderi.
Ai në emisionin “Desku” ka thënë se është koha për unitet të të gjitha partive
“Do ta them, ato janë tri partitë e mëdha kryesisht për shkak se sado ulëse që t’i kenë ato në Kuvend, ato janë parti të mirëformuara, të mirënjohura, dhe ato janë pjesë e sistemit politik të Kosovës. Kam biseduar me secilën prej tyre pas zgjedhjeve. Nga këndvështrimi i Mbretërisë së Bashkuar, unë i inkurajoj ato që të marrin pjesë efektivisht, sepse mendoj që në këtë moment është koha për të gjitha partitë politike në Kosovë që të bëhen bashkë. Është koha për unitet”.
Tutje ai ka vazhduar duke thënë se qytetarët duan progres, por progres nuk është shkuarja prapë në zgjedhje.
Sipas tij, duhet t’i jepet mundësia qeverisë së re të qeverisë, për t’u bërë pjesë e një etape të re.
“Sërish, mesazhi i qartë i zgjedhjeve ishte se njerëzit e Kosovës duan progres. Dhe, për të qenë i sinqertë, nuk është progres nëse shkohet prapë në zgjedhje. Progres është t’i lejohet Qeverisë së re mundësia për të qeverisur, të vë në vend politikat dhe, sigurisht, do të ketë ngritje dhe do ketë rënie, por do të jetë një dinamikë politike e ndryshme. Do t’i inkurajoja të gjitha partitë politike të jenë pjesë e kësaj, sepse kjo është pjesë e tranzicionit të Kosovës. Pas intervenimit, pas pavarësisë, kjo tani është një etapë e re për Kosovën, një etapë që ne do ta përkrahim”./Insajderi.com