Kosovës i miratohet kredia për blerjen e vaksinës anti-Covid

Kosovës i miratohet kredia për blerjen e vaksinës anti-Covid

Banka Zhvillimore e Këshillit të Evropës miratoi financimin shtesë prej 25 milionë eurosh për të mbështetur përpjekjet e Kosovës për të blerë vaksinat anti-COVD për rreth 50 për qind të popullsisë, njofton Insajderi

Kredia e CEB do të mbulojë gjithashtu koston e materialeve shpenzuese që lidhen me shpërndarjen e vaksinave dhe pajisjeve mjekësore.

“Financimi i CEB vjen me një grant të subvencionimit të normës së interesit dhe është mbështetje kyçe së bashku me partnerët tjerë ndërkombëtarë për të ndihmuar Kosovën në menaxhimin e pandemisë COVID-19”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave.

Kredia e re bazohet në një marrëveshje financimi prej 35 milionë euro të nënshkruar në gusht të vitit 2020, e cila ka mbuluar një pjesë të kostove të kujdesit shëndetësor emergjent të Kosovës, me një fokus në përkrahjen e ballafaqimit të vështirësive për punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe barnatoreve, si dhe blerjen e pajisjeve mjekësore, furnizimeve dhe materialeve shpenzuese.

Pavarësisht premtimeve nga Qeveria në detyrë, në Kosovë ende nuk ka ardhur asnjë dozë e vaksinës anti-COVID.

KOHA ka raportuar se vaksinat, që do të jepen si ndihmë për shtetet e varfra nga programi COVAX, janë nisur nga India, mirëpo ende nuk dihet koha e mbërritjes së tyre./Insajderi.com