Ministri në Detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka deklaruar se nuk ka neglizhencë sa i përket komunikimit me Federatën Sindikale të Shëndetësisë.
Kreu i kësaj sindikate, Blerim Syla ka marrë një telefonatë nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili ka konfirmuar sigurimin e vaksinave të para për punëtorët shëndetësorë që do t’i marrin në Kukës.
Por, Zemaj në Klan Kosova të premten, tha se nuk ka pasur asnjë adresim apo shqetësim nga kjo sindikatë.
“Asnjë neglizhencë. Asnjë komunikim sa i përket komunikimit me sindikata. Ka pasur raste kur në mesnatë kanë kërkuar takim, unë i kam pritur herët në mëngjes. Asnjë kërkesë dhe asnjë adresim nuk e kam pasur nga sindikatat përveç asaj që është dëgjuar nëpër rrjete sociale”, deklaroi ministri.
“Ne kemi komunikuar me Ministrinë e Shëndetësisë së Shqipërisë, komunikimet tjera nuk i dimë dhe nuk jemi kompetent t’i përcjellim. Gjithçka ka ndodhur përmes vijës institucionale, se si adresohen partnerët tjerë me shtetet tjera, nuk do të duhej të ishin problem i yni. Dokumentacioni dhe faktet ekzistojnë, për të tjerat nuk jemi të njoftuar”. /Insajderi.com