As pas gjashtë muajve Specialja nuk i ka dorëzuar pajisjet e konfiskuara të OVL-UÇK-së

As pas gjashtë muajve Specialja nuk i ka dorëzuar pajisjet e konfiskuara të OVL-UÇK-së

Janë bërë gjashtë muaj që kur EULEX me fletë-arrest nga Dhomat e Specializuara ka arrestuar dy krerët e Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj – bashkë me ata konfiskuan edhe disa pajisje.

Por, këto pajisje nuk janë dorëzuar ende, aty ku u morën – në zyrat e veteranëve, përcjell Insajderi.

Ushtruesi i Detyrës së kryetarit OVL-UÇK, Faton Klinaku, tha gjatë një konference për media se “për shkaqe sigurie nuk mund t’i sjellin pajisjet, duhet të vini t’i merrni vet”.

Avokati i kësaj organizate, Tomë Gashi, ka shkuar në zyrat e EULEX-it për t’i marrë ato.

Por, nuk i mori. Arsyetimi i EULEX-it, ka qenë për “arsye logjistike”.

“Me autorizim të veçantë kam shkuar dhe i kam kërkuar, mirëpo një deklaratë e hetuesit, për arsye logjistike ata nuk mund ta bëjnë këtë. Me një kërkesë të veçantë kemi kërkuar që ata të na japin një sqarim se çfarë kanë gjet në pajisjet që na kanë marrë, dhe mendojmë që kjo ishte arsyeja se pse nuk na janë dhënë pajisjet për të cilat na kërkuan vet që të shkojmë t’i marrim”, ka thënë Gashi. /Insajderi.com