EULEX-i ka demantuar avokatin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Tomë Gashin, i cili mëngjesin e së mërkurës ka deklaruar se EULEX-i nuk ua ka kthyer pajisjet e sekuestruara gjatë bastisjes në zyrat e kësaj organizate më 25 shtator të vitit 2020, ndonëse sipas tij, vetë ajo i kishte ftuar që t’i marrin, përcjell Insajderi.
Përmes një komunikate për medie, nga EULEX-i kanë deklaruar se nuk kanë rol në këtë dhe se nuk e kanë ftuar askënd në objektet e tij.
“Raportimet e mediave ku pretendohet se EULEX- nuk ia dorëzoi pajisjet e sekuestruara Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së janë të pavërteta. EULEX-i nuk e ka asnjë rol në këtë dhe nuk e ka ftuar askënd në objektet e tij. Siç e ka përmendur edhe avokati Tomë Gashi në një postim të tij në Facebook, zyrat e Prokurorit të Specializuar ndodhen brenda ndërtesës së EULEX-it në Fushë Kosovë. Për më shumë informata, ju lutemi kontaktoni ZPS-në”, thuhet në reagimin e EULEX-it.
Në anën tjetër, Gashi, i cili ishte autorizuar që t’i marrë këto pajisje, të mërkurën para mediave, ka thënë se njëri nga oficerët e EULEX-it në Fushë-Kosovë i ka thënë se nuk janë të përgatitur që sot t’ua dorëzojnë këto pajisje.
Ai ka shtuar se arsyeja e mosdhënies së këtyre pajisjeve është kërkesa e tyre që të njoftohen se çfarë kanë gjetur në to.
“Ne kemi marrë njoftim para dy ditëve për marrjen e tyre pajisjeve. Unë me autorizim të OVL të UÇK-së kam ardhur, por sot zyrtarët e EULEX-it nuk na i dhënë, dhe besoj që kjo ka ndodh për shkak të një fajlës tonë, ku kemi kërkuar të na tregohet se çfarë kanë gjetur në ato pajisje të konfiskuara gjatë bastisjes më 25.09.2020″, ka deklaruar Gashi/Insajderi.com