Në debatin për raportet mbi vendet e Ballkanit Perëndimor, eurodeputetja Tanja Fajon vlerësoi se vetoja bullgare në negociatat me Maqedoninë e Veriut është e papërgjegjshme.
Ajo porositi se veprimi i njëanshëm nuk ka asgjë të përbashkët me kriteret për anëtarësimin në BE, përcjell Insajderi.
“Bullgaria duhet ta tërheqë veton e saj, sepse kriza e shkaktuar nga vetoja bullgare do të rrezikojë procesin e zgjerimit për vendet e tjera në rajon”, tha ajo.
Para saj, deputeti bullgar Andrej Kovaçev tha se në Maqedoninë e Veriut shkelet liria e shprehjes së maqedonasve me origjinë bullgare dhe se komuniteti bullgar ishte në shumicë para se Tito të vinte në pushtet.
Ai e theksoi rastin e këngëtarit të zgjedhur për Eurovision si dëshmi se bullgarët në Maqedoninë e Veriut janë shënjestër e sulmeve të vazhdueshme.
Nga ana e tij, eurodeputeti Angell Xhambaski e krahasoi Maqedoninë e Veriut me Korenë e Veriut sepse bullgarët, siç tha ai nuk kanë guxuar të deklarohen si të tillë në regjistrimin e ardhshëm eurokomisari për Zgjerim, Oliver Varheji në fjalimin e tij para eurodeputetëve në fillim të debatit për raportet vjetore për progresin për vendet e Ballkanit Perëndimor, shfaqi shpresë se ende ka mundësi që konferenca e parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut të mbahet gjatë presidencës portugeze me BE-në, gjegjësisht para 1 korrikut.
Varheji e lavdëroi Raportin për progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën drejtë BE-së të raportuesit Ilhan Qyqyk dhe vlerësoi se ai përputhet me të dhënat e Komisionit Evropian.“Marrëdhëniet e mira fqinjësore janë pjesë thelbësore e progresit drejtë BE-së, marrëveshjeve bilaterale, Marrëveshja e Prespës me Greqinë dhe Marrëveshja me Bullgarinë duhet edhe më tutje të zbatohen në besim të të dyja palëve.
I inkurajoj Shkupin dhe Sofjen që t’i ndajnë përpjekjet që të gjejnë zgjidhje të përbashkët të pranueshme për çështjet bilaterale, i inkurajoj të gjitha palët që të sillen në mënyrë konstruktive dhe të përmbahen nga deklaratat dhe aksionet të cilat i minojnë interesat më të gjera të BE-së”, deklaroi Varheji.
Ai vlerësoi se, megjithatë, Maqedonia e Veriut ka ende “shumë punë” në pjesën e reformave.
“Vendimi i vendeve anëtare të BE-së që të hapin bisedimet me Maqedoninë e Veriut ishte historik, dhe me padurim presim që të miratohet korniza negociuese dhe të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare, shpresoj ende gjatë këtij kryesimi”, tha Varheji.
Disa grupe parlamentare dorëzuan Amendament të veçantë për raportin e vendit për mbështetje për marrëdhënien konstruktive të Maqedonisë së Veriut dhe kritika për deklaratat provokatore të Sofjes, por për momentin është e paqartë nëse ai do të fitojë mbështetje. /Insajderi.com