Weber: Për ta njohur Kosovën, diçka simbolike duhet të ketë për Serbinë

Weber: Për ta njohur Kosovën, diçka simbolike duhet të ketë për Serbinë

Ndonëse kryeministri i zgjedhur i Kosovës, Albin Kurti, nuk e ka përfshirë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, për normalizim të marrëdhënieve, në mesin e prioriteteve të qeverisjes së tij, eksperti për Ballkanin, Bodo Weber, vlerëson se procesi duhet të rinisë, transmeton Insajderi.

Por, sipas Weber, fillimisht atij i duhet ndryshim në aspektin e bashkëpunimit transatlantik, pasi thotë Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, duhet t’ia kthejnë kredibilitetin dialogut.

Ai shton se, që Serbia ta njohë shtetin e Kosovës, “atëherë të paktën diçka simbolike duhet të ketë për Beogradin”.

“Ky proces ka prekur pikën më të ulët në katër vitet e fundit të negociatave, drejt të ashtuquajturës marrëveshje gjithëpërfshirëse përfundimtare. Kjo gjë është shkaktuar edhe për shkak të rolit negativ të ekipit të BE-së, atëbotë, (ish-përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme) Federica Mogherinit dhe ekipit të saj, dhe marrja e rolit kyç nga administrata e (ish-presidentit amerikan, Donald) Trumpit, gjë që ka diskredituar rëndë këtë proces.

Ky proces do të duhej të riniste edhe nëse nuk do të ishte Qeveria e Kurtit, e cila ka mesazh të qartë se si e sheh dialogun. Duhet rifillim në bashkëpunimin transatlantik sepse Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara duhet të rikthejnë kredibilitetin e këtij procesi. Më pas duhet të definohen edhe parimet dhe qëllimet e këtij dialogu. Këto janë detyrat e bllokut evropian dhe SHBA-së”, ka thënë Weber për Radio Evropa e Lirë.

Sipas tij, qasja e Kurtit në krejt këtë situatë mund ta lehtësojë, por në të njëjtën kohë edhe ta komplikojë procesin.

“Parimet e tij se Serbia duhet të pranojë që Kosova është e pavarur dhe do të vazhdojë të jetë e pavarur, dhe se Kosova është palë e barabartë në negociata, ka qenë në thelb të nisjes së dialogut dhe duhet të jetë pjesë kur të rinisë procesi. Por ka edhe parime tjera. Për negociatorët perëndimorë krijohen probleme nga insistimi i Prishtinës se nuk duhet bërë kompromise tjera. Nëse kjo gjë ka të bëjë me mungesë kompromisi për statusin e Kosovës, kjo gjë është absolutisht e drejtë. Mirëpo nëse dëshironi të zhvilloni negociata me Serbinë, me qëllim përfundimtar që Serbia ta njohë shtetin e Kosovës, atëherë të paktën diçka simbolike duhet të ketë për Beogradin. Në këtë rrafsh nuk duhet diskutuar statusi, por çështjet bilaterale, në të cilat ka hapësirë për negociata të vërteta”.

Kërkesën e Kurtit që Serbia të përballet me të kaluarën dhe krimet e luftës të kryera në Kosovë, Ëeber e sheh krejt të arsyeshme nga pozicioni i Kosovës.

Mirëpo këto kërkesa, sipas tij, nuk përputhen dot me skenën politike të Serbisë.

“Fokusi duhet të jetë që Kosova të kompletojë sovranitetin, integritetin e vet territorial dhe subjektivitetin ndërkombëtar përmes njohjes nga ana e Serbisë në fund të procesit, dhe në këtë mënyrë të sigurojë edhe njohjen nga pesë shtetet mos njohëse të BE-së, të cilat kanë dhënë shenja se mund ta ndjekin atë rrugë (të Serbisë)”./Insajderi.com