Kurti: S’do të ketë dialog ku dëgjojmë kërkesat e vjetra të Serbisë, por dialog ku kërkojmë drejtësi

Kurti: S’do të ketë dialog ku dëgjojmë kërkesat e vjetra të Serbisë, por dialog ku kërkojmë drejtësi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thotë se prioritet i dialogut Kosovë-Serbi është çështja e të pagjeturve dhe krimeve që janë kryer ndaj popullit shqiptar, transmeton Insajderi.

Derisa foli para mediave në vizitën që pati në Krushë të Madhe në përkujtim të masakrës që ndodhi aty para 22 vjetve nga forcat serbe, Kurti tha se nuk do të ketë dialog ku dëgjohen kërkesat e vjetra të Serbisë, por dialog ku kërkohet drejtësi.

“Në raportin tonë me Serbinë e kemi prioritet çështjen e të pagjeturve, sepse s’mund të kemi progres nëse nuk i trajtojmë këto krime makabre që janë kryer mbi popullin tonë. Nuk duhet as ta lexojmë historinë, sepse këto krime kanë ndodhur në jetën tonë. Nuk do të jetë dialog ku dëgjojmë kërkesa të vjetra të Serbisë, por dialog ku ne kërkojmë drejtësi”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër, deputetja Vjosa Osmani, tha se Krusha e Madhe dhe masakrat e kryera janë “zëri i lartë i ndërgjegjes që thërret për drejtësi”. Ajo ka shtuar se duhet kërkuar drejtësi për ta krimet serbe në Kosovë.

Kurti aty është pyetur edhe për çështjen e presidentit, teksa ka thënë se zgjedhja e tij do të përfundojë së shpejti.

“Do ta kryejmë edhe hapin e tretë shumë të rëndësishëm të konstituimit të institucioneve në legjislaturën e tetë, por sot jemi duke bërë homazhe në Krushë të Madhe për dëshmorët dhe martirët e luftës”, ka thënë Kurti. /Insajderi.com