COVID-19: Brenda dy javësh janë mbyllur 11 shkolla në kryeqytet

COVID-19: Brenda dy javësh janë mbyllur 11 shkolla në kryeqytet

Vetëm në dy javët e fundit, gjithsej 11 shkolla janë mbyllur në Prishtinë, si pasojë e rritjes së rasteve me Coronavirus, transmeton Insajderi.

Kështu ka bërë të ditur Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala, sipas së cilës shqetësues mbetet fakti se ka më shumë raste te nxënësit sesa te mësimdhënësit.

Ndërsa, sa i përket çerdheve, Shala ka pohuar se deri tani nuk ka pasur rast të mbylljes kohëve të fundit.

Sa i përket mbylljes së shkollave, Shala ka thënë se kjo nuk mund të bëhet pa një vendim të nivelit qendror.

“Përderisa nuk merret vendimi nga niveli qendror, ne do të shkojmë me mbylljen e shkollave varësisht me raste. Do të veprojmë edhe sipas udhëzimeve të IKSHPK-së. Presim vendimin e Qeverisë. 11 shkolla janë në skenarin online, ndërsa disa shkolla janë në mënyrë të pjesshme online. Ne mbajmë kontakte të vazhdueshme me Ministrinë e Arsimit dhe tashmë Qeveria e re sapo të nisë të veprojë, mund të marrë vendime të tjera dhe ne do t’i respektojmë. Ne ende nuk kemi një fakt shkencor se kur një nxënës mund të transmetojë virusin te shoku i tij. Për këtë, ne dërgojmë të gjithë klasën apo shkollën në izolim”, ka thënë ajo në emisionin “038” të KTV-së.

Shala ndërkohë tregoi se Këshilli i Prindërve është i ndarë në dysh sa i përket izolimit sa herë që del një rast pozitiv me COVID-19 në klasa apo shkolla, duke thënë se disa mendojnë që nuk duhet të izolohen të gjithë, ndërsa pjesa tjetër mendon se është zgjidhja më e mirë për të parandaluar transmetimin e infeksionit./Insajderi.com