Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i ka dërguar një letër-urimi kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, njofton Insajderi.
Letra është publikuar nga Zyra e Kryeministrit.
Në letër-urim Abazoviq ka thënë se e ka besimin e plotë që përvoja personale dhe politike e Kurtit do të kontribuojë në zhvillimin dhe prosperitin e mëtejshëm të Republikës së Kosovës dhe popullit të saj.
Tutje, ai ka theksuar edhe rëndësinë e bashkëpunimit në mes dy vendeve, që do të sjellë përfitime për qytetarët e Malit të Zi dhe të Kosovës.
“Përfitoj nga rasti që të theksoj rëndësinë e bashkëpunimit midis dy vendeve tona, në bazë të marrëdhënieve të mira konfidenciale, mirëkuptimit dhe respekteve të ndërsjellta. Duke vlerësuar marrëdhëniet miqësore dhe fqinjësore në mes dy vendeve tona, pres ë bashkëpunimi të sjellë përfitime për qytetarët e Malit të Zi dhe të Republikës së Kosovës”, thuhet ndër të tjera në letrën e Abazoviqit./Insajderi.com