“Nxënësit që kanë marrë pjesë në mësimin online kanë humbur 25% të vitit shkollor”

“Nxënësit që kanë marrë pjesë në mësimin online kanë humbur 25% të vitit shkollor”

Mësimi në distancë ka ndikuar në mësimnxënien te niveli fillor e madje edhe në procesin e vlerësimit. Sipas ekspertëve, nxënësit që kanë marrë pjesë në mësimin online duke filluar nga 11 marsi i vitit të kaluar, e kanë humbur rreth 25 për qind të vitit shkollor, transmeton Insajderi.

Kështu vlerëson Drejtori Ekzekutiv i Qendrës për Arsim e Kosovës, Dukagjin Pupovci, i cili shton se nxënësit që nuk kanë marrë pjesë në mësimin online kanë humbur diku rreth 40% të vitit shkollor.

“Po ne tash i kemi vlerësimet për vitin e kaluar, për pranverën e vitit të kaluar ku Banka Botërore ka vlerësuar se nxënësit që kanë marrë pjesë në mësimin online, duke filluar nga data 11 mars e deri në fund të qershorit kanë humb diku rreth 25% të vitit shkollor ndërsa nxënësit që nuk kanë marrë pjesë në mësimin online kanë humb diku rreth 40% të vitit shkollor”, ka thënë Pupovci për EO.

Pupovci tutje është shprehur se mësimi online vazhdimisht do të ndikojë në rënien e cilësisë së arsimit.

“Pra mësimi online medoemos vjen me humbje mësimore, për këtë vit ende nuk ka vlerësime, dhe do të jetë e vështirë të bëhen, për faktin që nxënësit një pjesë të mirë të kohës e kanë kaluar në shkollë, por edhe kanë pasur ndërprerje të shumta, pra shumë shpesh ka ndodh që shkollat të mbyllen për shkak të pandemisë ose fëmijët e një klase të izolohen dhe besoj që e gjithë kjo do ndikojë në rënien e cilësisë dhe humbjet mësimore”, është shprehur Pupovci.

Edhe kryetar i SBASHKU-t, Rrahman Jasharaj, ka thënë se mësimi online nuk ka qenë i frytshëm, pasi që cikli i ulët kanë pasur vështirësi në përdorimin e platformave online.

“Mësimi online nuk ka qenë shumë i frytshëm sidomos ky problem paraqitet dhe është tepër i rëndë cikli i ulët te klasa e parë e dytë dhe e tretë madje edhe deri në klasën e pestë sepse ata fëmijë vështirë mund të gjenden me platformat dhe unë uroj që numri i të prekurve me Covid-19 në nivel vendi edhe pse është duke shënuar rritje dhe mos të na ndodhë edhe në shkolla”, ka thënë Jasharaj. /Insajderi.com