LDK: Do t’i rikthejmë votuesit, synojmë më shumë komuna në zgjedhjet lokale

LDK: Do t’i rikthejmë votuesit, synojmë më shumë komuna në zgjedhjet lokale

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shqipe Mjekiqi, beson se rënien e kësaj partie e shkaktoi mungesa e komunikimit me elektoratit, si dhe përfshirja në koalicione qeveritare, transmeton Insajderi.

Kështu thotë ajo për EO, derisa konsideron se rezultati i LDK-së në zgjedhjet nacionale nuk reflekton edhe në ato lokale.

Ajo ka treguar besim që partia e saj në zgjedhjet lokale do të rikthehet me synim fitimin edhe në shumë komuna tjera të vendit.

“Ka disa elemente të cilat mendoj mund t’i atribuohen kësaj rënie sa i përket mbështetjes qytetare, një prej këtyre është që në të kaluarën nuk është dëgjuar aq zëri i qytetarëve. Duke e fuqizuar lidhjet tona me degët ose strukturën të cilën e kemi do të arrijmë me kuptuar më mirë se cilat janë kërkesat e elektoratit në nivelin më të ulët, pra në nivel komunal e të fshatrave. Ka munguar një komunikim i tillë, për të kuptuar më mirë cilat janë kërkesat e qytetarëve”, ka thënë Mjekiqi.

“Gjithashtu në disa raste kemi qenë pjesë e koalicioneve të ndryshme qeveritare pa qenë partia e parë në pushtet. Për shkak të sistemit zgjedhor që ka Kosova çdoherë me përjashtime kërkohet që qeveria të jetë e koalicioneve, por qëndrimi në koalicionet e mëhershme nuk i kanë dhënë kohë dhe hapësirë Lidhjes Demokratike që të reflektojë për këto probleme të ndryshme të brendshme që i ka pasur përfshi edhe komunikimin, sepse ndoshta nuk e ka parë të nevojshme”, ka shtuar ajo.

“Ka një ndarje sa i përket rezultatit për zgjedhje qendrore dhe rezultatit për zgjedhje lokale, pra nuk mund të themi që rezultatin të cilin e kemi parë në nivel qendror do të reflektohet asisoj edhe në nivel lokal sepse e kemi parë këtë në të kaluarën. Ne do të bëjmë përpjekjet maksimale që të ruajmë ato komuna me të cilat kemi qeverisur deri më tani por përpjekjet tona do të jenë më të vërtetë që të rikthejmë Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe natyrisht të synojmë edhe komuna tjera në të ardhmen sepse kjo nuk është e pamundur” ka thënë ajo. /Insajderi.com