Kurti pas arritjes së vaksinave: Kontingjent i vogël, por ngjall shpresë të madhe

Kurti pas arritjes së vaksinave: Kontingjent i vogël, por ngjall shpresë të madhe

Kosova sot ka pranuar 24 mijë dozat e para të vaksinave anti-COVID nga koalicioni botëror COVAX, njofton Insajderi.

Ceremonia e pranimit të vaksinave “AstraZeneca” është bërë në aeroportin “Adem Jashari”, ku të pranishëm ishin kryeministri Albin Kurti, ministri i shëndetësisë Arben Vitia, ushtruesi i Detyrës së Shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Riccardo Serri, përfaqësues të shteteve të QUINT-it dhe përfaqësuesja e Kombeve të Bashkuara e Ekipit për Kosovë, Ulrika Richardson, raporton Zeri.info.

Kryeministri në fjalën e tij, ka thënë se ky kontingjent i vogël i vaksinave sjell shpresë të madhe në Kosovë për shpëtimin e jetëve.

“Jemi mbledhur këtu tek aeroporti “Adem Jashari” për ta mirëpritur arritjen e kontingjentit të parë të vaksinave në Kosovë, është një kontingjent i vogël por që ngjallë shpresë të madhe për vendin tonë, për shpëtimin e jetëve të njerëzve, sidomos të punëtorëve shëndetësorë dhe personave që rrezikohen më shumë”, ka thënë Kurti i cili ka falënderuar aleancën COVAX për vaksinat.

Ai tha se vaksinimi duhet të fillojë menjëherë, ndërsa shtoi se gjendja me numrin e të vdekurve dhe të infektuarve është alarmante, duke paralajmëruar edhe masa.

“Vaksinimi duhet të fillojë menjëherë dhe pa asnjë vonesë, në dy javët e fundit kemi mesatarisht 10 vdekje në ditë dhe një trend në rritje të të infektuarve. Masat tona duhet të jenë të shpejta dhe të drejta, që duhet të ulin numrin e të infektuarve dhe të shmangin vdekjen e njerëzve. Qeveria jonë, qeveria juaj që ju keni zgjedhur është në krye të detyrës dhe po punon ditë e natë që të sigurojë sa më shumë vaksina”, ka thënë kreu i qeverisë./Insajderi.com