Rruga e gjatë e vaksinave anti-COVID’19 drejt Kosovës

Rruga e gjatë e vaksinave anti-COVID’19 drejt Kosovës

Ndonëse autoritetet shëndetësore kishin premtuar se kontingjenti i parë me vaksina kundër Coronavirusit në Kosovë do të arrijë në muajin shkurt, një gjë e tillë ndodhi në mbrëmjen e 28 marsit.

24 mijë doza të vaksinës së prodhuar nga AstraZeneca, të cilat Kosova i ka pranuar nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, arritën në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” të dielën.

Kështu Kosova u bë shteti i fundit në Evropë që siguroi disa vaksina.

I pari që e ka marrë këtë vaksinë është kreu i ekzekutivit, Albin Kurti, i cili gjatë fushatës zgjedhore kishte premtuar se 60 për qind e popullatës do të vaksinohet.

Ai është vaksinuar të hënën e 29 marsit në orën 16:30 në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.

Shumë liderë nëpër botë janë vaksinuar të parët, si një shembull që “vaksina është e sigurt”.

Ndërkohë, procesi i vaksinimit në vend do të fillojë nesër (e martë).

Ky proces do të fillojë në Klinikën Infektive dhe në Sallën “1 tetori” në Prishtinë, pastaj do të zgjerohet edhe në qendra të mjekësisë familjare.

Plani i vaksinimit

Autoritetet kanë miratuar një Plan të vaksinimit i cili është i ndarë në tri faza.

Në fazën e parë, sipas këtij plani do të vaksinohen grupet me rrezik të lartë ku përfshihen punëtorët shëndetësorë, banorët dhe punëtorët shëndetësorë të shtëpive të kujdesit për të moshuarit, grup-moshat 80+ dhe një pjesë e popullsisë me sëmundje kronike (persona në dializë, persona me diabet, sëmundje kardiovaskulare). Në këtë grup, numri i përgjithshëm i personave llogaritet të jetë 54.000 mijë apo 3 për qind e popullsisë së përgjithshme të Kosovës.

Faza e dytë përfshihen grup-moshat 65-79 vjeç, popullsia e mbetur me sëmundje kronike, mësimdhënësit dhe forcat e sigurisë që janë të përfshira në menaxhimin e pandemisë COVID-19. Ky grup përbëhet nga 306.000 persona apo 17 për qind e popullsisë.

Për fazën e parë dhe të dytë, sipas Planit për vaksinim, do të përdoren vaksinat që Kosova do të marrë nga programi COVAX.

Ndërkaq, për fazën e tretë parashihet të bëhet vaksinimi i 50 për qind të popullsisë në mënyrë që të arrijë 900 mijë persona ose 70 për qind të mbulimit të përgjithshëm të popullsisë me vaksinën COVID-19.

Premtimet e autoriteteve

Sjelljen e vaksinave në Kosovë, ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe ish-kryeministri, Avdullah Hoti e kishin premtuar për në shkurt.

Për shkak të mungesës dhe vonesës së tyre, mjekët kosovarë janë detyruar që të shkojnë në Shqipëri për t’u vaksinuar, pasi kryeministri shqiptar, Edi Rama, kishte ftuar rreth 11 mijë punonjës shëndetësorë të Kosovës për t’u vaksinuar në Kukës.

Vonesat në negociata, mostransparenca si dhe gjendja politike në Kosovë, vlerësohet se kanë ndikuar në mossigurimin e vaksinave.

Vaksinimi në botë

Në nëntor të vitit 2020 vaksina e parë kundër COVID-19 u miratua për përdorim dhe ishte gati të shpërndahej. Deri më tani afërsisht 552 milionë doza të vaksinës janë blerë nga organizata dhe shtete në të gjithë botën, ndërsa janë vaksinuar 1.56 për qind e popullsisë.

Sipas të dhënave të përditësuara nga Worldwide, Gjibraltari përqindjen më të madhe të popullsisë së vaksinuar deri tani. Në këtë territor aktualisht janë të vaksinuar mbi 80 për qind e popullsisë.

Ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar ishte shteti i parë në botë që miratoi përdorimin e vaksinës së Pfizer/BioNTech. Vendi nisi vaksinimin më 8 dhjetor./Insajderi.com