Takohen Kosnett e Kurti, flasin rreth konsolidimit të institucioneve

Takohen Kosnett e Kurti, flasin rreth konsolidimit të institucioneve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, kanë pritur sot (e hënë) në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett. Në këtë takim, ata kanë diskutuar rreth përmbylljes së konsolidimit të institucioneve shtetërore bazuar në vullnetin qytetar të zgjedhjeve të 14 shkurtit, përcjell Insajderi.

Kështu është bërë e ditur përmes një komunikate për medie nga Zyra e Kryeministrit.

“Fillimisht ambasadori Kosnett e uroi kryeministrin Kurtin për marrjen e detyrës dhe shprehu kënaqësinë për arritjen e 24 mijë vaksinave kundër Covid-19 në Kosovë”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

“Kurti e falënderoi ambasadorin për vizitën dhe për rolin e SHBA-së në sigurimin e kontingjentit të parë të vaksinave. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë dhe mbesin partner i pazëvendësueshëm për Republikën e Kosovës dhe popullin e saj përballë sfidave me të cilat ballafaqohet”, thuhet tutje në komunikatë./Insajderi.com