Kurti pas vaksinimit: S’jam këtu të shfrytëzoj privilegjin, por t’i inkurajoj qytetarët

Kurti pas vaksinimit: S’jam këtu të shfrytëzoj privilegjin, por t’i inkurajoj qytetarët

Pas marrjes së vaksinës anti-COVID’19, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se këtë veprim e ka bërë jo për ta shfrytëzuar privilegjin, por për t’i inkurajuar qytetarët që të vaksinohen dhe të heqin dilemat mbi efektet anësore të kësaj vaksine, përcjell Insajderi.

Ai po ashtu ka lutur qytetarët që t’i respektojnë masat kundër përhapjes së Coronavirusit.

“Si kryeministër i Kosovës, nuk jam këtu që të shfrytëzoj privilegjin që të vaksinohem i pari, por që të inkurajoj të gjithë që të vaksinohen, meqenëse mbrëmë ka ardhur kontingjenti, do të kemi edhe vaksina të tjera, do të përpiqemi që sa më shumë qytetarë të vaksinohen dhe me shembullin tim dua t’i inkurajo që të vaksinohen dhe të heqin dilemat mbi dobinë e kësaj ndërmarrje. Zgjidhja përfundimtare është vaksinimi i popullsisë”, ka thënë Kurti para mediave.

Të dielën e 28 marsit, 24 mijë doza të vaksinës së prodhuar nga AstraZeneca, të cilat Kosova i ka pranuar nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, kanë arritur në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”.

I pari që e ka marrë këtë vaksinë është kreu i ekzekutivit, Albin Kurti, i cili gjatë fushatës zgjedhore kishte premtuar se 60 për qind e popullatës do të vaksinohet.

Shumë liderë nëpër botë janë vaksinuar të parët, si një shembull që “vaksina është e sigurt”./Insajderi.com