Pacolli pas vaksinimit të Kurtit: Qytetarët kanë nevojë për këtë donacion, më shumë se politikanët

Pacolli pas vaksinimit të Kurtit: Qytetarët kanë nevojë për këtë donacion, më shumë se politikanët

Lideri i Aleancës Kosova e Re dhe njëherësh deputet i Kuvendit të Kosovës, Behgjet Pacolli ka reaguar pas marrjes së vaksinës kundër Coronavirusit nga kryeministri i vendit, Albin Kurti, duke thënë se qytetarët kanë nevojë më shumë për vaksinë sesa politikanët, përcjell Insajderi.

Sipas tij, politikanët kanë mundësi ta mbrojnë vetën, e të mos e shfrytëzojnë donacionin.

“Vaksina ’AstraZeneca’ e cila erdhi si donacion nga aleanca Covax, është e sigurt dhe e suksesshme në miliona njerëz në mbarë botën. Qytetarët dhe ata që përballen çdo ditë me Covid kanë nevojë për këtë donacion, më shumë sesa njerëzit e politikës, të cilët kanë më shumë mundësi ta mbrojnë veten, e jo duke shfrytëzuar donacionin”, ka shkruar Pacolli në profilin e tij në Facebook.

Pacolli të dielën e ka quajtur banale ceremoninë e pranimit të vaksinave, ndërkaq donacionin të rëndomtë.

Të dielën e 28 marsit, 24 mijë doza të vaksinës së prodhuar nga AstraZeneca, të cilat Kosova i ka pranuar nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, kanë arritur në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”.

I pari që e ka marrë këtë vaksinë është kreu i ekzekutivit, Albin Kurti, i cili gjatë fushatës zgjedhore kishte premtuar se 60 për qind e popullatës do të vaksinohet.

Njëjtë si Kurti, shumë liderë nëpër botë janë vaksinuar të parët, si një shembull që “vaksina është e sigurt”

Kryeministri pas marrjes së vaksinës ka thënë se nuk ka shkuar që të shfrytëzoje privilegjin që të vaksinohet i pari por të inkurajojë qytetarët që të vaksinohen./Insajderi.com