Kryeministri Kurti ndërprenë aktivitetin e AKP-së

Kryeministri Kurti ndërprenë aktivitetin e AKP-së

Qeveria e re e Kosovës po këmbëngul që të pezullohet çdo vendimmarrje që ka të bëjë me privatizimin dhe tjetërsimin e ndërmarrjeve shoqërore nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, njofton Insajderi.

Lidhur me këtë gjë ka folur Përparim Kryeziu, zëdhënës në Qeverinë e Kosovës, i cili ka thënë për Radion Evropa e Lirë se është e rëndësishme që të mos ketë “veprime të ngutshme dhe në shpërputhje me planin dhe qëllimet e ekzekutivit të ri”, të udhëhequr nga Albin Kurti.

Ai tutje ka shtuar se “Qeveria Kurti është në javën e parë të detyrës së saj dhe tanimë jemi në proces të hartimit final të programit qeverisës. Aty edhe përfundimisht do të adresohet veprimtaria, kompetencat dhe funksioni i AKP-së”.

Por, përveç këtij deklarim të Kryeziut, gjatë fushatës zgjedhore, Kurti ka thënë se synon të shuajë aktivitetin e AKP-së.

Në programin qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje thuhet se do krijohet Fondi Sovran dhe asetet e AKP-së do të kalojnë në pronësi të Fondit Sovran.

Më 25 mars, kryeministri Albin Kurti kërkoi nga AKP-ja të pezullojë shitjen e pronave të ndërmarrjeve shoqërore. Këtë kërkesë ai e bëri teksa bordi i kësaj agjencie po mbante mbledhje.

Ndërsa nga Zyrtarë të AKP-së kanë konfirmuar se të premten, më 25 mars, bordi ka qenë duke mbajtur takim të rregullt dhe ka vazhduar me procedurat ligjore të vendimmarrjes deri në pranimin e kërkesës nga ana e kryeministrit Kurti, që ka ardhur përmes e-mailit në ora 12:45 për “marrjen në konsideratë të pezullimit të vendimeve” sipas kërkesës.

“Bordi i drejtorëve ka diskutuar kërkesën e qeverisë dhe konform kërkesës ka ndërprerë mbledhjen në orën 13:30, duke pezulluar po ashtu procesin e vendimmarrjes për pikat e pashqyrtuara sipas agjendës së propozuar”, thuhet në përgjigjen e zyrës për informim të AKP-së.

Por, pavarësisht kërkesës së kryeministrit të ri, Albin Kurti, ende vazhdon të jetë në fuqi një vendim i qeverisë paraprake, që mban datën e 1 korrikut të vitit 2020, ku ish-kryeministri Avdullah Hoti, kishte kërkuar nga AKP-ja që të mos bëjë shpallje të asnjë vale të re të privatizimit derisa të miratohet, siç thuhet në vendim, Strategjia për privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore në harmoni me Programin qeverisës të Republikës se Kosovës “me qëllim të përmbylljes së suksesshme të procesit të privatizimit”.

Nga AKP-ja thonë se kjo strategji është hartuar me grupin punues dhe i është dërguar qeverisë për miratim në tetorin e vitit të kaluar. Në mungesë të vendimmarrjes për miratimin e strategjisë, AKP-ja ka bërë shpalljen e valëve të reja dhe paralelisht ka njoftuar institucionet për çdo veprim të saj.

AKP-ja thotë se ka qenë në koordinim të plotë dhe permanent me Qeverinë e Kosovës. Ndryshe, gjatë vitit 2020, pas vendimeve të Qeverisë së Kosovës, AKP-ja nuk ka realizuar valë të reja të shitjes.

“Në momentin kur janë pranuar kërkesat shtesë nga qeveria dhe ushtruesja e detyrës së presidentit (Vjosa Osmani) për vazhdim të pezullimit të valëve të shitjes, AKP-ja ka pezulluar procesin dhe ky pezullim vazhdon të mbetet në fuqi ende deri në një vendim tjetër. Përpjekjet e AKP-së për realizimin e mandatit të saj ligjor, nuk mund të konsiderohen shkelje ligjore”, thuhet në përgjigje të APK-së.

Më 19 shkurt 2021, vetë Bordi i drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, ka udhëzuar menaxhmentin e AKP-së që të mos vazhdojë me valët e shitjes deri në krijimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e datës 14 shkurtit. Bordi u takua pas krijimit të qeverisë, më 25 mars.

Në bazë të Ligjit për AKP-në, “agjencia merr parasysh të gjitha politikat përkatëse të cilat miratohen nga Qeveria apo Kuvendi i Kosovës”./Insajderi.com