Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të martën ka ndryshuar listën e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, duke u bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
Zëvendësimi i deputetëve sipas votave dhe jo sipas gjinisë (bazuar në vendimin e Kushtetueses) ka sjellë ndryshim të emrave të kandidatëve që rekomandohen për zëvendësimin e deputetëve që u bënë ministra.
Në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është vendosur që nga Lëvizja Vetëvendosje deputetë do të jenë Ekrem Mustafa dhe Enver Dugolli, të cilët do të zëvendësojnë dy deputetë që u bënë ministra.
Emrat e Ekrem Mustafës dhe Enver Dugollit zëvendësojnë Yllza Hotin e Gresa Bytyqi Kelmendin, të cilat kishin hyrë për shkak të kuotës gjinore.
Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje të cilët do t’i zëvendësojnë deputetët që u bënë ministra, nga Lëvizja Vetëvendosje janë: Enver Haliti, Shqipe Isufi, Mirsad Shkreta, Gramos Agusholli, Alban Bajrami, Jahja Kokaj, Hudajet Hyseni Kaloshi, Ekrem Mustafa dhe Enver Dugolli.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka bërë të ditur se nga subjekti politik “Nova Demokratska Stranka-NDS”, është Samra Ilijaz, e cila do të zëvenësojë Emilija Rexhepin.
Nga Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës – IRDK”, është Fridon Lala, i cili do të zëvendësojë Elbert Krasniqin.
Nga subjekti politik Kosova Demokratik Türk Partisi – KDTP”, është Enis Kervan, i cili do të zëvendësojë Fikrim Damkën.
Në mbledhjen e kaluar, KQZ-ja kishte rekomanduar që dy deputete të cilat u bënë ministre të zëvendësohen me dy deputete tjera, por aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka sjellë rrethana të reja pasi shfuqizon nenin e ligjit që kërkon që zëvendësimi i një deputeti të bëhet vetëm me kandidatin e gjinisë së njëjtë./Insajderi.com