Supremja e kthen në rigjykim rastin ndaj Shukri Bujës

Supremja e kthen në rigjykim rastin ndaj Shukri Bujës

Gjykata Supreme ka vendosur ta kthejë në rigjykim në shkallë të dytë rastin ndaj Shukri Bujës, i cili ishte i dënuar me burgim për keqpërdorim të detyrës zyrtare sa ishte kryetar i Komunës së Lipjanit.

Kështu është thënë në një njoftim për medie të kësaj gjykate, përcjell Insajderi.

“Kolegji i Gjykatës Supreme në çështjen penale kundër të dënuarit Sh.B., për shkak të veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 442 par.1 të KPRK-së, duke vendosur përkitazi me kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur nga mbrojtësit e të dënuarit, kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, në seancën e kolegjit të mbajtur më 17 mars 2021, vendosi që të miratoi kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësve të të dënuarit Sh.B.”, thuhet në njoftim.

Shukri Buja në shtator të vitit 2020 ishte dënuar me dy vjet burgim nga Gjykata Themelore e Prishtinës, për rastin e njohur si “Feronikeli”. Në këtë rast janë përfshirë dhe tetë persona tjerë. Buja akuzohej për “keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe ushtrim të ndikimit”./Insajderi.com