Gërvalla në takim me Kosnettin: Marrëveshja Kosovë-Serbi të mos e cenojë integritetin territorial

Gërvalla në takim me Kosnettin: Marrëveshja Kosovë-Serbi të mos e cenojë integritetin territorial

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë nuk duhet të cenojë kushtetutshmërinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të asnjëres palë, përcjell Insajderi.

Sipas saj, kjo është zgjidhja e vetme për paqe të qëndrueshme në rajon, fqinjësi të mirë dhe prosperitet për të gjithë popujt e Evropës.

Ajo këto deklarata i ka bërë në takim me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett.

“Sa i përket normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, drejtuesja e diplomacisë kosovare ka theksuar nevojën për të zhvilluar bisedime përmbajtjesore, të ndërmjetësuar nga partnerët ndërkombëtar, të cilat duhet të rezultojnë me një marrëveshje që nuk cenon kushtetutshmërinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të asnjërës palë, si zgjidhje e vetme për paqe të qëndrueshme në rajon, fqinjësi të mirë dhe prosperitet për të gjithë popujt e kësaj pjese të Evropës”, është shprehur Gërvalla, thuhet në komunikatën e MPJD-së.

Ajo tutje ka shtuar se ShBA-ja do të jenë partner strategjik i pazëvendësueshëm i Kosovës në politikën e jashtme të Kosovës gjatë mandatit të saj.

“Kontributi i Shteteve të Bashkuara në raport me Kosovën është vështirë i përshkueshëm me pak fjalë, ngase përkrahja amerikane për lirinë tonë ka filluar përpara shumë dekadash. Një Kosovë e fortë, demokratike, ku zbatohet ligji dhe respektohen të drejtat dhe liritë e secilit qytetar, një Kosovë me mirëqenie dhe e integruar në BE dhe NATO, është interes i yni i përbashkët”, ka thënë Gërvalla, njofton MPJD./Insajderi.com