Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, njëherësh edhe deputet në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se do të respektojë vendimin e Kryesisë për të marrë pjesë në seancën ku pritet të votohet Presidenti i vendit, transmeton Insajderi.
Ndonëse u raportua për dilema të shfaqura nga Mustafa për vendimin e tij, vetë deputeti i LDK-së ka mohuar këtë, duke thënë se e respekton vendimin e Kryesisë.
“Unë jam anëtar i kryesisë dhe do e respektoj vendimin e sotëm të LDK-së. Do të shkoj në seancë dhe do të votoj”, ka thënë Mustafa në T7.
Kryesia e LDK-së ka marrë vendim sot që të marrë pjesë në votim për Presidentin e vendit.
Siç njoftoi sot kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, ky është vendim i Kryesisë i votuar me shumicë absolute të anëtarëve të saj. /Insajderi.com