Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka mirëpritur vendimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të qëndruar në sallën e Kuvendit kur votohet presidenti i vendit, njofton Insajderi.
Në një postim në Twitter, Rohde ka shkruar se shpreson që të gjithë deputetët të veprojnë njëjtë për t’i shmangur zgjedhjet e reja.
“Me shpresë se të gjithë deputetët e zgjedhur do të ndjekin këtë vendim dhe të vënë nevojat e qytetarëve të Kosovës mbi partitë. Nuk mund ta imagjinoj rrezikun e zgjedhjeve të reja në pikun e pandemisë”, ka shkruar ai.
Kryetari i LDK-së, Lumuir Abdixhiku, të martën ka njoftuar se deputetët e kësaj partie do të marrin pjesë në votimin për presidente të Vjosa Osmanit, dikur nënkryetare e kësaj partie.
Osmani është kandidatja e vetme për presidente të vendit. Ajo në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit ka garuar në listë të përbashkët me partinë fituese, Lëvizjen Vetëvendosje. Kjo e fundit ka arritur të marrë mbi 50 për qind të votave, ndërsa Osmani ishte më e votuara me mbi 300 mijë.
Për të zgjedhur presidentin, në votimin e tretë duhet të jenë 80 vota minimum, me 61 prej tyre pro një kandidati. Vetëvendosje ka 58 vota, ndërsa pritet t’i ketë edhe 8 të tjera nga minoritetet jo shumicë. Bashkë me to, i duhen minimum 14 vota nga LDK-ja për të siguruar kuorumin e nevojshëm./Insajderi.com