Gjendja e pacientëve të infektuar me Coronavirus në Klinikën Infektive është rënduar ditëve të fundit. Në këtë klinikë aktualisht nuk ka shtretër të lirë. Nga numri i përgjithshëm i pacientëve, 100 prej tyre po arrijnë të marrin frymë fal oksigjenit artificial.
Duke marrë parasysh situatën pandemike në vend dhe rastet aktive me COVID, po kërkohet ashpërsim i masave.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive, Izet Sadiku për KosovaPress tha se rritja e rasteve në javët e fundit të të infektuarve me COVID-19 ka ndikuar të rritet edhe numri i të hospitalizuarve.
Sipas tij, gjendja e pacientëve të shtrirë në këtë klinikë është mjaft e rënduar.
”Realisht rritja e numrave me COVID-19 në dy javët e fundit ka ndikuar që kjo me reflektuar edhe në rritjen e numrit të hospitalizuarve, ne faktikisht i kemi çdo ditë qe dy javë gati e kemi çdo ditë të mbushura kapacitetet e Klinikës Infektive…Po krijohet përshtypja që nuk ka vende të lira por Infektiva është klinika e parë dhe kemi edhe tri klinika tjera përveç Infektives që janë për pacientët me COVID dhe kështu deri sot asnjë pacientë që kanë pasur nevojë për marrjen e shërbimeve nga mjeku nuk ka mbetur pa shërbime. Jemi duke bërë përgatitje për të hapur edhe klinika tjera me qëllim që të krijohen shtretër të mjaftueshëm për gjithë pacientët… 06\26 Faktikisht gjendja është shumë e rëndë ne i kemi mbi 100 pacientë që janë me oksigjenoterapi dhe një pjesë e madhe e tyre është me gjendje të rëndë klinike. Ky numër i madh i rasteve të reja ka filluar të reflektohet edhe në numrin e të sëmurëve”, pohoi ai.
Sadiku foli edhe me situatën epidemiologjike në vend, ku kërkoi nga Qeveria e Kosovës një analizë të kësaj situatë dhe respektim më të ashpër të masave, por edhe nëse është nevoja shtim të masave të reja me qëllim të parandalohet përhapja tutje e infeksionit COVID-19 në vendin tonë./Insajderi.com