Ministri i Bujqësisë pezullon nga puna pesë zyrtarë të dyshuar për ryshfet

Ministri i Bujqësisë pezullon nga puna pesë zyrtarë të dyshuar për ryshfet

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci ka marrë të mërkurën vendim për pezullimin e përkohshëm nga marrëdhënia e punës në shërbimin civil të Kosovës për pesë zyrtarë të Agjencisë së Zhvillimit të Bujqësisë, përcjell Insajderi.

Siç bëhet e ditur në njoftimin për medie, ata dyshohen për veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i detyrës zyrtare”.

“Vendimi është marrë si domosdoshmëri për zbatimin e bazës ligjore në fuqi, si dhe njoftimit të marrë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion të datës 3 mars 2021, për masat e ndërmarra ndaj këtyre zyrtarëve”, thuhet në njoftim.

Po ashtu bëhet e ditur se vendimi për pezullimin nga marrëdhënia e punës do të jetë në fuqi deri në marrjen e një vendimi tjetër nga organet përgjegjëse.

“Zyrtarët e pezulluar ishin arrestuar gjatë muajit shkurt nën dyshimin për veprat penale ‘marrje e ryshfetit’ dhe ‘keqpërdorim i detyrës zyrtare’”, thuhet tutje në njoftim./Insajderi.com