Klinë: Qytetari në zor nga polici – ia zë parkingun çdo ditë (VIDEO)

Klinë: Qytetari në zor nga polici – ia zë parkingun çdo ditë (VIDEO)

H.E., një qytetar nga Klina, shumë rrallë mund ta parkojë makinën në parkingun pran banesë së vet. E bën vetëm kur një polic i qytetit nuk është aty për t’ia zënë.

Sa herë që policit M.H., i konvenon parkingu që i takon qytetarit bëhet “pronë” e policit. Jo rrallë ka ndodhur që H.E., ka thirrur policë të tjerë dhe ka kërkuar t’ia lirojnë parkingun që atij i takon, por kolegu i tyre nuk i ka dëgjuar – ai vazhdon të abuzojë me uniformën e shtetit.

E gjitha duket e pabesueshme si ngjarje, sikur mos ta vërtetonin pamjet e siguruara nga Gazeta Online Insajderi, të cilat tregojnë një ditë – nga shumë të tjera sipas qytetarit – ku polici ia uzurpon parkingun dhe nuk dëshiron t’ia lirojë as pas ndërhyrjes së policëve të tjerë.

Në këto pamje shihet polici me inicialet M.H., derisa del nga vetura e tij për të hyrë në ndërtesën ku jeton qytetari, i cili është ankuar.

Pasi qëndroi për orë të tëra brenda këtij objekti banesor, më në fund polici M.H., del për t’u përballur me dy policë të tjerë të thirrur nga ankuesi për t’ia liruar vendin ku mund ta vendoste veturën e tij.

Mirëpo, rezultati edhe atë ditë, si shumë hera tjera, nuk ishte në favor të qytetarit i cili ishte marrë vesh me banorët e tjerë të asaj ndërtese, që vetura e tij të parkohej në atë vend.

Ndonëse nuk dihen motivet e keqkuptimit që kanë ankuesi dhe i dyshuari, polici M.H., insiston në pengesën që po i bën viktimës së rastit edhe pasi e kupton që ajo zonë ka kamera të sigurisë, në të cilat po xhirohej ngjarja.

Kjo më së miri shihet në pamjet e siguruara, ku i njëjti nuk i bindet autoriteteve të dala në vendin e ngjarjes, respektivisht kolegëve të tij policë.

Gazeta ka kontaktuar me inspektorin e rastit, por edhe me Inspektoratin Policor të Kosovës.

Inspektori Hasan Mehmeti, thotë se ankesën e qytetarit e ka marrë më datë 25 mars, ndërsa ankesa është në fazën e trajtimin dhe shqyrtimit.

“Sot kemi marrë ankesën e qytetarit, i cili ankohet në sjelljet e zyrtarit policor, ankesa është në fazën e trajtimit dhe shqyrtimit, në afatin ligjor ankesa do të marrë kahjen për hetim të mëtejshëm”, ka thënë Mehmeti.

Derisa ai njoftoi se kjo ankesë po shqyrtohet dhe po trajtohet, zëdhënësi i Inspektoratit Policor, Arbër Beka, nuk ka pasur shumë informacion.

“Lidhur me kërkesën tuaj ju lutem që mundësisht të na ofroni disa të dhëna shtesë nëse i keni si: kur dhe ku është bërë ankesa (në IPK apo Polici), emrin e ankuesit dhe të dhëna të tjera që mund të na ndihmojnë për t’ju kthyer përgjigje”, ka thënë Arbër Beka.

Meqë Beka ka pohuar se ankesat mund të bëhen edhe në Policinë e Kosovës, redaksia ka kërkuar përgjigje edhe nga ky institucion.

Nga Policia është kontaktuar togeri Alija Batiloviq. Ai ka pohuar se është në dijeni për këtë rast, porse s’mund “të ndajë informacione”.

Ka thënë se ato mund t’i japë zyra për media e policisë.

“Bazuar në procedurën dhe rregullat e protokolit zyrtar, unë nuk jam i autorizuar të japë përgjigje në detaje lidhur me rastin. Jam i sigurt që ju do të informoheni për të gjitha që iu interesojnë nëpërmes zyrës ZIMP, të PK-së”, tha Toger Batiloviq.

Gazeta, bazuar edhe në rekomandimet e Batiloviq, ka kërkuar një përgjgje për rastin tek zyra për komunikim e Policisë së Kosovës, por – as pas disa ditë pritjeje – nuk është kthyer një përgjigje.

Insajderi ka komunikuar edhe me ankuesin H.E., i cili tha se që nga ankesa e bërë në të dyja organet, ai nuk është kontaktuar më nga askush.

Megjithatë, pohoi se nga polici problematik nuk i është paraqitur asnjë problem që nga koha kur e ka lajmëruar rastin  në organet e rendit.

“Deri më tani nuk më ka kontaktuar askush nga Policia apo Inspektorati Policor. Personin në fjalë nuk e kam parë më dhe nuk kam pasur problem që kur ka ndodhur rasti për të cilin jam ankuar”, tha ai. /Insajderi.com