VV: Nëse nuk zgjidhet Osmani presidente, shkojmë në zgjedhje

VV: Nëse nuk zgjidhet Osmani presidente, shkojmë në zgjedhje

Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se gjasat për pazare politike në zgjedhjen e presidentit nuk ekzistojnë pasi nuk pranojnë asnjë kandidat tjetër për këtë post, përveç kandidates së tyre, Vjosa Osmanit, transmeton Insajderi.

Dhe nëse Osmani nuk zgjidhet presidente, vendi shkon në zgjedhje.

Kështu ka deklaruar deputetja e LVV-së, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, sipas së cilës, partia e saj në momentin që e thirr seancën për zgjedhjen e presidentit nuk mban shpresa tek deputetët e partive të tjera, por do të shkojë me vota të sigurta.

“Në momentin që ne si Lëvizje Vetëvendosje do të thërrasim seancë për zgjedhjen e presidentes, ne nuk shkojmë në sallë duke mbajtur shpresë në AAK-në se a do të vijë ose jo në sallë, aty ne shkojmë me vota të sigurta, kurdo që thirret ajo”.

Kryeziu-Hyseni për Klankosova.tv ka deklaruar mes tjerash se çdo javë që kalon shkurtohet afati për zgjedhjen e shefit të shtetit, dhe sipas saj kjo shkon në dëm të vendit.

“Çdo javë që kalon, afati për zgjedhjen e presidentit të vendit shkurtohet, dhe kjo shkon në dëm të vendit, pasi që Vjosa Osmani ka marrë pjesë në zgjedhje dhe sovrani e ka thënë fjalën e tij, duke e bërë atë njeriun më të votuar në Kosovë me mbi 300 mijë vota, pra, kur kemi hyr në zgjedhje ne e kemi pasur kandidaten për presidente dhe sovrani e ka vlerësuar këtë”, ka potencuar ajo./Insajderi.com