Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh M.A., i cili dyshohet për pjesëmarrje në krime lufte kundër popullsisë civile në fshatin Izbicë, në vitet 1998-1999.
Siç bëhet e ditur në njoftimin e gjykatës, i pandehuri M.A., më 28 mars të vitit 1999, së bashku me një grup me mbi 50 veta të forcave ushtarake policore serbe, kishin hyrë në fshatin Izbicë ku kishin bombarduar fshatin dhe kishin shkatërruar shtëpitë e civilëve.
Në njoftim thuhet se civilët i kishin detyruar të dalin nga shtëpitë dhe i kishin grumbulluar në një vend, duke i kërcënuar i kishin detyruar gratë dhe fëmijët të largohen duke i dërguar në drejtim të Klinës.
Ndërsa, mbi 140 burra i kishin grumbulluar në vendin e quajtur “Kodra e Zllit” dhe i kishin vrarë të gjithë.
“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit M.A. për veprat penale Krimi i luftës kundër popullsisë civile e paraparë dhe sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit penal të ish Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë(RSFJ) i cili ligj ishte në fuqi në kohën kur pretendohet se është kryer vepra penale, vepër kjo e paraparë dhe e sanksionuar edhe me nenin 146 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës se Kosovës(KPRK-së) me nr. 06/L-074 Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin për media./Insajderi.com