Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka reaguar ndaj presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në lidhje me deklaratën e këtij të fundit për bazën ushtarake të FSK-së në kodrën e Cërrnushës në Mitrovicë, njofton Insajderi.
Vuçiqi tha sot se paralajmërimi për ndërtimin e kësaj baze ushtarake paraqet kërcënim për banorët serbë të kësaj pjese.
Ndërkaq Bahtiri thekson se Vuçiqi nuk mund të ndërhyjë në punët e brendshme të Kosovës.
“Presidenti i Serbisë Vuçiq nuk mund të ndërhyjë në punët e brendshme të Republikës së Kosovës, e sidomos në punët komunale të Mitrovicës. Baza ushtarake e FSK-së që do të ndërtohet në kodrën e Cërrnushës nuk është provokim për askënd e as nuk do ta cenojë sigurinë e banorëve serbë të Kosovës, të cilët i mbron dhe do t’i mbrojë shteti i Kosovës me mekanizmat e tij sikurse gjithë banorët e Republikës tonë”, ka thënë Bahtiri.
Madje, Bahtiri kërkon nga Vuçiqi që tërheqë deklaratën.
“Ka perënduar koha e ndërhyrjes në punët e shtetit dhe komunës tonë të pasardhësve politik të Milosheviqit, të cilët në vend se të kujdesen për mirëqenien e banorëve të Serbisë dhe demokratizimin e shtetit të tyre, tentojnë të përzihen dhe bëjnë obstruksione të ndryshme për ta prishur rendin demokratik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës. Andaj, i bëj thirrje ta tërheqë deklaratën e sotme dhe veprojë në drejtim të njohjes së Republikës së Kosovës, sepse vetëm kështu mund t’i shërbejë shtetit të vet dhe gjithë rajonit”.
“Vendimi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës për dhënien e 191 hektarëve tokë për bazën ushtarake të FSK-së, ka ardhur pas kërkesës së Ministrisë së Mbrojtjes të Kosovës dhe si komunë jemi shumë krenarë për këtë vendim të marrë”, përfundoi Bahtiri./Insajderi.com