Edhe pse në shkallë të vogël, Kosova tashmë ka filluar vaksinimin për imunizim ndaj COVID-19.
Institucionet gjegjëse kanë lansuar platformën e shërbimit online, në të cilët qytetarët mund të aplikojnë për të marrë vaksinën.
Platforma është vënë në funksion para fillimit të vaksinimit të personelit shëndetësor.
Kështu kanë bërë të ditur në një përgjigje për Insajderi-n nga Ministria e Shëndetësisë, teksa kanë njoftuar se aplikuesit janë të moshave të ndryshme.
“Prioritet janë personat mbi 80 vjeç me sëmundje kronike, të cilët pritet të vaksinohen sapo të vaksinohet personeli shëndetësor e ndoshta edhe më parë”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Nga kjo ministri tutje kanë bërë të ditur se duke pasur parasysh që platforma do të shërbejë gjatë, është duke u përgatitur edhe një material informues (video shpjeguese) për ata që mund të kenë ndonjë paqartësi rreth përdorimit të saj.
“Meqë vaksinimi do të jetë proces i gjatë gjithashtu kemi përdorur edhe mundësitë që na janë dhënë në media qe ta promovojmë platformën për publikun dhe në kanale të tjera të komunikimit”, thuhet tutje në përgjigjen e tyre.
24 mijë doza të vaksinës së prodhuar nga AstraZeneca, të cilat Kosova i ka pranuar nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, kanë arritur në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” të dielën e 28 marsit.
I pari që e ka marrë këtë vaksinë është kreu i ekzekutivit, Albin Kurti, i cili gjatë fushatës zgjedhore kishte premtuar se 60 për qind e popullatës do të vaksinohet.
Deri në fund të vitit planifikohet që të vaksinohet 70 për qind e popullsisë.
Autoritetet kanë miratuar një Plan të vaksinimit i cili është i ndarë në tri faza.
Në fazën e parë, sipas këtij plani do të vaksinohen grupet me rrezik të lartë ku përfshihen punëtorët shëndetësorë, banorët dhe punëtorët shëndetësorë të shtëpive të kujdesit për të moshuarit, grup-moshat 80+ dhe një pjesë e popullsisë me sëmundje kronike (persona në dializë, persona me diabet, sëmundje kardiovaskulare). Në këtë grup, numri i përgjithshëm i personave llogaritet të jetë 54.000 mijë apo 3 për qind e popullsisë së përgjithshme të Kosovës.
Faza e dytë përfshihen grup-moshat 65-79 vjeç, popullsia e mbetur me sëmundje kronike, mësimdhënësit dhe forcat e sigurisë që janë të përfshira në menaxhimin e pandemisë COVID-19. Ky grup përbëhet nga 306.000 persona apo 17 për qind e popullsisë.
Për fazën e parë dhe të dytë, sipas Planit për vaksinim, do të përdoren vaksinat që Kosova do të marrë nga programi COVAX.
Ndërkaq, për fazën e tretë parashihet të bëhet vaksinimi i 50 për qind të popullsisë në mënyrë që të arrijë 900 mijë persona ose 70 për qind të mbulimit të përgjithshëm të popullsisë me vaksinën COVID-19./Insajderi.com