Kusari-Lila: Sot mbahet seanca për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje, pastaj ajo për presidentin

Kusari-Lila: Sot mbahet seanca për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje, pastaj ajo për presidentin

Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila bëri të ditur se së pari është thirrur seanca e jashtëzakonshme për amandamentimin e Ligjit për Zgjedhje, e nëse ka vullnet të deputetëve për të qëndruar në sallë, atëherë do të caktohet edhe ajo për presidentin

Kusari-Lila tha se kanë paraqitur dy kandidaturat për president në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës, atë të Vjosa Osmanit dhe të Nasuf Bejtes, njofton Insajderi.

Ajo theksoi se kanë arritur t’i sigurojnë 80 vota të cilat janë të mjaftueshme për ta zgjidhur presidentin.

“Kryesia e Kuvendit do të trajtojë amandamentin për Ligjin për Zgjedhjet në mbledhjen e radhës. Ne kemi kërkuar që seancën e parë të jashtëzakonshme ta kemi sot, me pikën e vetme për amanadmentin për Ligjin për Zgjedhje. Nëse kjo përfundon brenda pak orëve, ne do të caktojmë menjëherë edhe seancën e radhës për votimin e presidentit të Kosovës”, deklaroi Kusari-Lila para mediave.

Për zgjedhjen e presidentit, në dy votimet e para nevojiten dy të tretat e votave e që i bie 80 vota për të deputetëve.

Ndërkaq, në raundin e tretë, president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në të tri votimet duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.

Nëse edhe raundi i tretë dështon, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh./Insajderi.com