Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, thotë se nga kjo parti nuk kanë pasur kontakte me deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Halitin, për ta siguruar votën e 80-të për kandidaten për presidente, Vjosa Osmani.
“Nuk kemi kontaktuar me Xhavit Halitin, kushdo që nuk ka qenë dje në sallë dhe ka qenë jashtë Kosovës, tanimë e ka kohën e mjaftueshme që të vijë në Kuvendin e Kosovës dhe të marrë pjese në seancë, në mënyrë që mos ta dërgojmë vendin përsëri në zgjedhje”, ka thënë Kusari-Lila për KK.
Ajo njoftoi se janë në bisedime me disa deputetë, të cilët sipas saj kanë pasur një vullnet më të mirë që të marrin pjesë në votimin e presidentes.
Kusari-Lila pret që edhe dy deputetët nga pakicat jo-serbe të marrin pjesë sot në seancë.
“Por, ajo që mund të konfirmoj është që jemi në bisedime më disa deputetë të cilët kanë pasur më shumë vullnet për të marrë pjesë në seancë dhe për të votuar për të cilët nuk mund të jap emra se kush janë ata deputetë, por unë pres që edhe dy deputetët e pakicave që nuk kanë qenë dje në sallë të vijnë, pasi që njëri nga ta veçse na e ka konfirmuar votën dhe nuk ka ardhur, pres që një gjë të tillë ta bëjnë sot në ora 17:00”, ka thënë Kusari-Lila, e cila shton se edhe deputetët e LDK-së, të cilët nuk morën pjesë në seancë, pret nga ta që të reflektojnë. /Insajderi.com