Nënkryetari i komunës së Gjilanit, Arbër Ismaili, është deklaruar rreth diskutimeve të sotme në takimin e zhvilluar midis ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe kryetarëve dhe zyrtarëve komunalë.
Ismaili në një prononcim për Gazetën Online Insajderi tha se një pjesë e madhe e komunave nuk janë pajtuar për disa nga masat të cilat i ka planifikuar t’i marrë Ministria e Shëndetësisë, derisa nga dita e martë pritet që vendi të hyjë në masa të reja.
“Nuk mund të them që është vendim i përbashkët sepse një pjesë e madhe e komunave nuk janë pajtuar në disa masa që i ka planifikuar t’i marrë Ministria e Shëndetësisë, sidoqoftë, fillimi i javës tjetër, më së largu gjatë së martës është paralajmëruar që do të merren masat e reja sipas ministrit të Shëndetësisë”, ka thënë ai.
I dyti i Gjilanit tutje ka përmendur se gjatë takimit është përfolur kryesisht mbyllja e gastronomisë, kalimi online i mësimit përgjatë dy javëve, si dhe mbyllja e një pjese tjetër të bizneseve siç janë qendrat tregtare.
I pyetur nëse do të ketë mbyllje të kufijve tokësorë dhe ajror, ai tha se nuk pritet të hyjë në fuqi një masë e tillë, por pohoi se është diskutuar edhe për kontrollin nëpër pikat kufitare, që sipas ministrit është një ndër shkaktarët që po ndihmon në rritjen e numrit të rasteve.
“Një ndër shkaktarët që po e ndihmon në rritjen e numrit sipas ministrit, është edhe moskontrollimi sa duhet i pikave kufitare ku po hyjnë dhe po dalin lirshëm qytetarët, mirëpo nuk është përmendur si mbyllje vetëm si shkaktar i rritjes së numrit të rasteve”, ka thënë Ismaili. /Insajderi.com