Inicohet peticion për shkarkim dhe nesër protestohet kundër Ardian Kastratit për gjuhën seksiste ndaj Osmanit

Inicohet peticion për shkarkim  dhe nesër protestohet kundër Ardian Kastratit për gjuhën seksiste ndaj Osmanit

Pas gjuhës ofenduese që ka përdorur deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, njëkohësisht dhe profesori universitar, Ardian Kastrati, ndaj presidentes së sapozgjedhur të Kosovës, Vjosa Osmani, ka ardhur edhe reagimi nga unioni i studentëve dhe nga shoqëria civile, njofton Insajderi.

Kastrati përmes një shkrimi në Facebook, ka përqeshur fizikun e Vjosa Osmanit, duke e cituar një frazë nga Faik Konica.

Edhe pse në statusin e Kastratit, askund nuk përmendet emri i Osmanit, pavarësisht kësaj, shoqëria civile dhe unioni studentor e kanë interpretuar këtë status si fyerje ndaj Osmanit dhe po kërkojnë llogari dhe përgjegjësi nga Kastrati.

E lidhur me këtë, unioni i studentëve, ka iniciuar një peticion ku po kërkohet shkarkimi nga universiteti i Kastratit.

Ndërsa nga ana tjetër, aktivisti i shoqërisë civile, Rron Gjinovci, për nesër në orën 11:00 ka paralajmëruar një protestë paqësore ku gjithashtu kërkohet shkarkimi i Kastratit nga pozita e profesorit universitar./Insajderi.com