PD uron krerët institucionalë, u kërkon të promovojnë tolerancën dhe bashkëpunimin ndërpartiak

PD uron krerët institucionalë, u kërkon të promovojnë tolerancën dhe bashkëpunimin ndërpartiak

Partia e Drejtësisë ka uruar krerët institucionalë të vendit, presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, duke ju kërkuar që të promovojnë frymën e tolerancës, gjithëpërfshirjes dhe bashkëpunimit ndërpartiak e ndërinstitucional, njofton Insajderi.

Përmes një komunikate për medie, nga kjo parti janë shprehur se e përshëndesin përfundimin e ndërtimit të institucioneve pas zgjedhjeve të 14 Shkurtit, “si parakusht esencial për tejkalimin e vështirësive aktuale dhe përparimin e vendit në të gjitha aspektet”

“PD pret nga krerët institucional të vendit që të promovojnë frymën e tolerancës, gjithëpërfshirjes dhe bashkëpunimit ndërpartiak e ndërinstitucional në ballafaqimin me sfidat serioze që na presin, si në kontekstin e brendshëm ashtu edhe në atë rajonal e më të gjerë ndërkombëtar”.

“Partia e Drejtësisë e cila qe njëzetë vite paraqet subjektivizmin më autokton politik në përpjekjet për të realizuar synimin kryesor të proklamuar programor të institucioneve aktuale shtetërore, drejtësisë individuale njerëzore dhe kolektive sociale, qëndron e gatshme dhe e mobilizuar për të mbështetë të gjitha veprimet politike dhe institucionale në këtë drejtim, si dhe për të parashtruar kërkesa dhe alternativa konstruktive në rastet kur kjo nuk do të ndodhë”, thuhet në komunikatë./Insajderi.com