Haradinaj: Osmani është presidente e Kurtit

Haradinaj: Osmani është presidente e Kurtit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar të hënën se zgjedhja e Vjosa Osmanit në krye të shtetit tregon se Kosova ka hyrë në monizëm, pasi siç ka thënë ai, pas secilit post të lartë shtetëror qëndron kryeministri Albin Kurti.

Haradinaj akuza ka hedhur edhe ndaj deputetëve të opozitës, të cilët nuk iu kanë përmbajtur qëndrimit partiak për të mos votuar Osmanin.

Sipas tij, mënyra sesi pozita siguroi kuorumin dëshmon se vendin nuk e presin ditë të mira.

“Dje u vërtetua që fituesit e rinj të zgjedhjeve kanë mungesë guximi që të veprojnë si e parasheh demokracia. Po ashtu, u treguan të zot dhe treguan se kanë prirje për kontrabandim të votës. Ajo që ka ndodhur nuk është në nderin e Kosovës dhe demokracisë tonë. Pra, u zgjodh presidentja me kontrabandim të votash, me deputetë që për përfitime të aty për atyshme tjetërsuan vullnetin e votuesve të tyre”, ka theksuar Haradinaj për KP.

Kreu i AAK-së është arsyetuar për mos urimin e Presidentes së sapo zgjedhur, Vjosa Osmani, duke thënë se me të është krijuar një pushtet absolut në vend./Insajderi.com