Kryeministri malazez fillon procedurat e shkarkimit të ministrit të Drejtësisë, shkak – deklarata për Srebrenicën

Kryeministri malazez fillon procedurat e shkarkimit të ministrit të Drejtësisë, shkak – deklarata për Srebrenicën

Kryeminsitri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, ka propozuar shkarkimin e ministrit të Drejtësisë të këtij vendi, Vladimir Leposaviq, për shkak të deklaratës së tij për gjenocidin në Srebrenicë, transmeton Insajderi.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, Krivokapiq tha se e ka dërguar propozimin në Parlamentin e Malit të Zi.

Gjatë një seance parlamentare më 26 mars, Leposaviq ka thënë se është i gatshëm të pranojë se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid “kur një gjë e tillë të vërtetohet pa dyshime”.

Me këtë deklaratë, ai ka sfiduar edhe legjitimitetin e Gjykatës së Hagës për ish-Jugosllavinë, e cila ka konstatuar se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid.

“Pas deklaratës së diskutueshme i kam dërguar një mesazh, që ai duhet të nxirret vetë nga ajo që ka gatuar vetë. Kam menduar se deklarata e tij do të ishte e atillë që të amortizonte atë që është thënë, por ajo ka mbetur me prapavijën e njëjtë”, tha Krivokapiq, duke aluduar në deklaratën e dytë të Leposaviqit, që ka bërë tre ditë më vonë, duke shprehur të njëjtat pikëpamje”.

“I kam kërkuar dorëheqjen sepse është më mirë që me një akt personal, të tregojmë përgjegjësi. Këtë e kam bërë të premten edhe sot”, tha Krivokapiq.

“Meqenëse Leposaviq ka mbajtur pozicionin e tij, unë kam propozuar shkarkimin e një anëtari të Qeverisë, në këtë rast të ministrit Leposaviq”, tha Krivokapiq, për të shtuar se është e papranueshme që ministri i Drejtësisë të shprehë pikëpamjet e tij private. /Insajderi.com