Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, është deklaruar lidhur me vendimin e sotëm të Qeverisë sa i përket masave të reja anti-COVID që do të hynë në fuqi nga e mërkura, më 7 prill, njofton Insajderi.
Me anë të një konference për media pas mbledhjes së ekzekutivit i cili i miratoi masat, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për kufizim të lëvizjes së qytetarëve nga ora 22:00 deri në orën 05:00, përveç rasteve urgjente, në të cilat bëjnë pjesë kërkesa për ndihmë mjekësore apo blerje të barnave.
Ndër pikat tjera të masave që hynë në fuqi nga 7 prilli, është edhe kalimi në mësim online të të gjitha institucioneve publike dhe private të arsimit parauniversitar dhe atyre universitare, për dy javë rresht.
Sa i përket funksionimit të qendrave të mbyllura tregtare, të hapura gjatë kësaj periudhe kohore do të jenë vetëm shërbimet esenciale në kuadër të së cilave hynë marketet ushqimore dhe farmacitë, të cilat obligohen që të përcaktojnë numrin maksimal të konsumatorëve në të njëjtën kohë sipas rregullit: një person në 8m2.
Kurse, shërbimet e gastronomisë obligohen të pezullojnë aktivitetin e tyre nga data 7 prill deri më datë 18 prill, përfshirë gastronominë brenda furrave, marketeve dhe pikave të karburanteve, derisa lejohen të punojnë vetëm me shërbim “merr me vete”, “dërgesë me porosi” dhe “drive-through”.
Këto masa është vendosur të merren edhe pse gjatë takimeve të Ministrisë së Shëndetësisë me kryetarët e komunave dhe nga të tjera shoqata, është shprehur pakënaqësi dhe kanë dalë kundër tyre.
Bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është obligative, në të gjitha rastet përveç, gjatë ngasjes së automjetit vetëm apo me anëtarët e ngushtë të familjes, gjatë vrapit dhe çiklimit dhe gjatë ecjeve jashtë zonave të banuara dhe jo në grupe me më shumë se 4 persona të të njëjtës familje.
Poashtu, nga e mërkura do të pezullohen fitneset dhe palestrat si fusha të mbyllura.
Një pikë tjetër jo më pak e rëndësishme është edhe ajo e cila i ndalon qytetarët e Kosovës të hyjnë brenda vendit pa testin PCR negative, vetëm nëse kanë dalë jashtë Kosovës në 24 orët e fundit.
“Një nga pikat në vendimin që morëm sot, është që nuk kemi mundur të arsyetojmë secilën pikë ta sqarojmë. Ndërsa obligohet Ministria e Shëndetësisë që të dalë me një sqarim sa I përket këtyre masave gjatë ditës së sotme”, ka thënë Vitia, derisa u pyet nga gazetarët për këtë pikë. /Insajderi.com