Inspektorati anulon sërish konkursin për shoferët e autobusëve në Prishtinë

Inspektorati anulon sërish konkursin për shoferët e autobusëve në Prishtinë

Punësimi i dhjetëra shoferëve të autobusëve në Trafikun Urban është shtyrë sërish pasi që Inspektorati i Punës për herë të dytë ka gjetur parregullsi në konkursin e shpallur për këtë qëllim.

Më shumë se një muaj pasi Inspektorati i Punës kishte anuluar një konkurs të “Trafikut Urban” për punësimin e 53 shoferëve të autobusëve, një vendim i njëjtë është marrë sërish të premten e kaluar.

Inspektorati i Punës ka obliguar Trafikun Urban që në një afat prej tetë ditësh të anulojë konkursin e shpallur më datën 24 shkurt, përmes së cilit synohej punësimi i 80 shoferëve të autobusit.

Deri tek vendimi është ardhur pas ankesave që janë bërë nga Avdi Feri, Kryesues i Bordit të Drejtorëve në Ndërmarrjes Publike Komunale “Trafiku Urban”, si dhe nga anëtarët e këtij bordi: Bashkim Ibrahimi dhe Fëllënza Pula.

Në ankesën e tyre, ata kanë thënë se në këtë konkurs ka pasur shkelje meqë “nuk ka pasur shqyrtim të konkursit nga ana e organit kompetent, konkretisht Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes”.

Po ashtu, në ankesën e tyre ata kanë përmendur se në këtë proces ka pasur shkelje për shkak se personi që ka shpallur konkursin ka qenë shkarkuar më herët nga detyra.

Ata kanë thënë se Bordi i Drejtorëve me datë 18.02.2017 ka shkarkuar nga pozita Kryeshefin Ekzekutiv Halil Mustafën, dhe në vend të tij ka emëruar në këtë pozitë Hazir Hamitin, si ushtrues detyre.

Duke iu referuar vendimit të Bordit të Drejtorëve për të shkarkuar Mustafën nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv dhe emërimin në këtë pozitë të Hamitit si ushtrues detyre, ata kanë kërkuar nga Inspektorati që të inspektohet “lidhur me çështjen se kush ka dhënë urdhrin për shpalljen e konkursit në fjalë”.

“Në rast se konkursi është shpallur  nga Kryeshefi Ekzekutiv  i shkarkuar nga pozita e punës me vendim të  Bordit të Drejtorëve atëherë konkursi në fjalë të anulohet”, thuhet në vendimin e Inspektoratit.

Kjo është hera e dytë që Inspektorati ka anuluar konkursin për shoferët e autobusëve.

Në muajin shkurt, Inspektorati kishte anuluar konkursin meqë kishte gjetur se ë drejtori i “Trafikut Urban”, Halil Mustafa ka shpallur konkurs pa u koordinuar me Bordin e Ndërmarrjes dhe pa respektuar afatin ligjor, ka bërë që Inspektorati i Punës ta anulojë konkursi.

Edhe në atë rast ankesa kishte ardhur nga anëtarët e Bordit të Trafikut Urban.

“Ka pasur shkelje ligjore sepse nuk ka pasur shqyrtim të konkursit nga Bordi i Drejtorëve të Ndërmarrjes dhe ka pasur shkelje të Udhëzimit Administrativ Nr.14/2011 për Rregullimin e Procedurave për Themelimin e Marrëdhënies së punës në Sektorin Publik”, thuhejh në raportin zyrtar të Inspektoratit të Punës.

Shpallja e konkursit vetëm për gjashtë ditë, i cili me vendimin e kryeshefit ekzekutiv të Ndërmarrjes “Trafiku Urban”, është shpallur nga data 31 janar deri më deri më 6 shkurt 2017, ka bërë që  Inspektorati i Punës ta cilësoj shkelje ligjore.

“Sipas udhëzimit administrativ 14/2011, konkursi publik duhet të jetë i shpallur 15 ditë në mjetet e informimit publik dhe ato elektronik, afat të cilit punëdhënësi me rastin e shpalljes së konkursit në fjalë nuk i është përmbajtur”, kishte konstatuar Inspektorati i Punës nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale./Insajderi.com