Dështon seanca gjyqësore ndaj ministrit Aliu

Dështon seanca gjyqësore ndaj ministrit Aliu

Ka dështuar seanca e shqyrtimit fillestar ndaj ministrit të Ambientit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, dhe disa të tjerëve të cilët akuzohen për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”. Kjo për arsye se ka munguar e pandehura Bahtije Uka, njofton Insajderi.

Seanca është shtyrë për 30 prill 2021, në ora 10:00.

Ministri në Qeverinë Kurti II, Liburn Aliu, pas dështimit të seancës fillestare, ka thënë shkurt për media se do të deklarohet për më shumë pas seancës së 30 prillit.

“Seanca është shtyrë me datën 30 prill dhe atëherë mund të bëjmë deklaratë taman siç duhet. Presim deri atëherë”, është shprehur Aliu.

Liburn Aliu akuzohet për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”, gjatë kohës sa ishte drejtor në Komunën e Prishtinës që udhëhiqet nga Shpend Ahmeti.

Kryetari i kryeqytetit, ditë më parë ka deklaruar se Liburn Aliu “ka mbrojtur interesin e përgjithshëm duke mos lejuar disa ndërtime”.

Në këtë aktakuzë, krahas Aliut, për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” akuzohen edhe Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi./Insajderi.com