Eksperti i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci, është emëruar zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës, njofton Insajderi.
Lajmi është dhënë nga Qendra për Arsim e Kosovës (KEC), organizatë të cilën Popovci e ka drejtuar për 21 vite.
“Dje, më 5 prill 2021, gjatë mbledhjes së Bordit Drejtues të Qendrës për Arsim të Kosovës (KEC) është aprovuar dorëheqja e z. Dukagjin Pupovci nga pozita e drejtorit ekzekutiv të KEC, pozitë në të cilën ai shërbeu për 21 vite me radhë, duke dëshmuar profesionalizëm dhe përkushtim.
Prej sot, z. Pupovci do të vazhdoj të ofrojë kontributin e tij në avancimin e sistemit të arsimit në Kosovë, në cilësinë e zëvendësministrit në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit”, thuhet në njoftimin për medie të KEC-it.
Nga kjo organizatë kanë bërë të ditur se Bordi ka emëruar si ushtrues detyre të drejtorit ekzekutiv Petrit Tahirin.
“KEC falënderon z. Pupovci për kontributin e dhënë në zhvillimin dhe avancimin e organizatës dhe njëkohësisht i uron shëndet dhe suksese në rrugëtimin e ri!”./Insajderi.com